VIDEO/ Shtëpi bari në Dimal, arrestohen 2 vëllezër dhe pronari i banesës, në pranga edhe punonjës të OSHEE-së

Një ambient i i përshtatur me llamba dhe pajisje të tjera elektrike, për kultivimin e bimëve narkotike është zbuluar në Dimal.

Policia ka sekuestruar 80 bimë kanabisi, 315 kubik, 25 llamba dhe pajisje të tjera elektrike që i shërbenin kultivimit në ambiente të mbyllura.

Në kuadër të operacionit policor të koduar “Pobrati” u arrestua pronari i banesës ku ishin kultivuar bimët narkotike dhe 2 vëllezër, si autorë të dyshuar të kësaj veprimtarie kriminale.

Njëri prej vëllezërve rezultonte i shpallur në kërkim dhe me masë sigurie “Arrest në burg”, vendosur nga Gjykata e Lushnjes, pasi në vitin 2021, është shpallur në kërkim nga DVP Fier, pasi dyshohet se ka kultivuar bimë narkotike në një ambjent të mbyllur në zonën e Lushnjes.

Gjithashtu është arrestuar përgjegjësi dhe faturisti i OSHEE-së, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Në njoftimin zyrtar thuhet se në fshatin Pobrat, Dimal, në banesën e shtetasit B.R., u zbulua 1 ambient që furnizohesh me lidhje të paligjshme të energjisë elektrike dhe që ishte përshtatur me llamba dhe pajisje të tjera, për kultivimin e bimëve narkotike në ambiente të mbyllura.

“Gjatë kontrolleve në këtë ambient, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 85 bimë të dyshuara narkotike kanabisi, 315 fidanë bime narkotike, 25 llamba, 1 aspirator, 6 ventilatorë dhe 20 rritës të energjisë elektrike.”

Si rezultat i veprimeve operacionale në kuadër të këtij operacioni, u vunë në pranga shtetasit B.R., 21 vjeç (pronari i banesës), I.B., 29 vjeç, ky shtetas u kap nga shërbimet e Policisë Berat, pasi ishte i shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Lushnjës kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Kultivim i bimëve narkotike” dhe vëllai i tij F.B., 25 vjeç, të dy banues në Fier.

Në kuadër të këtij operacioni, në përfundim të veprimeve hetimore u bë arrestimi dhe i dy punonjësve të OSHEE-së, shtetasit R.M, 55 vjeç, me detyrë përgjegjës i grupit të OSHEE-së dhe E.B., 32 vjeç, me detyrë faturist elektrik, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprime të mëtejshme.


Shtuar 20.08.2023 12:23