VIDEO/ Policia shkon për kontroll në shtëpinë e dajës, 24-vjeçari i bën pritë me armë në dorë, çfarë ndodhi në Shkodër

Policia e Shkodrës, e cila shkoi për kontroll në banesën e një 54-vjeçari, hasi në rezistencën e nipit të tij, pasi 24-vjeçari hyri me armë në shtëpinë e dajës për të kundërshtuar uniformat blu.

Të dy, dajë e nip kultivonin bimë narkotike cannabis sativa dhe 24-vjeçari kishte për qëllim të shmangte kontrollin në banesën e dajës si dhe mos lejonte prishjen e bimëve narkotike të kultivuara.

Në kuadër të operacionit” Postriba” u bë arrestimi i shtetasve Gj. M., 54 vjeç dhe F. K, 24 vjeç, banues në Shkodër (dajë e nip).

24-vjeçari kur ka parë se shërbimet e Policisë po futen në banesën e dajës së tij, ka shkuar në drejtim të kësaj banese, me një armë zjarri në dorë, për të kundërshtuar kontrollin e banesës si dhe që shërbimet e Policisë të mos asgjësonin bimët narkotike të kultivuara nga ky shtetas dhe daja i tij, shtetasi Gj. M.

Falë veprimeve të Policisë Shkodër, u bë i mundur neutralizimi dhe vënia në pranga e 24-vjeçarit, si dhe sekuestrimi i armës së zjarrit dhe i municionit luftarak.

Gjithashtu, gjatë kontrollit në banesën e dajës së tij, Policia gjeti dhe sekuestroi një armë tjetër zjarri dhe municion luftarak.

Po gjatë kësaj faze të operacionit, Policia asgjësoi 1300 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa, të kultivuara nga këta 2 shtetas.

Gjatë fazës së parë të këtij operacioni, të zhvilluar në janar të këtij viti, Policia vuri në pranga shtetasin J. K., 24 vjeç, banues në fshatin Domen, Shkodër, pasi gjatë kontrollit në banesën e tij, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 2 armë zjarri pushkë, municion luftarak dhe 2 radio si të Policisë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme./Albeu.com.

 


Shtuar 24.06.2023 11:46