Një videoskandal po qarkullon në media që prej mbrëmjes së djeshme, 1 maj, ku disa të burgosur shfaqen duke festuar brenda ambienteve të një burgu, në shkelje flagrante të rregullave dhe kushteve të sigurisë.
Pamjet janë publikuar nga gazetari Flamur Vezaj në emisionin “MaShqip”, ku dallohet një grup personash me precedentë kriminalë, të cilët ndodhen brenda një qelie që sipas tij ndodhet në burg të sigurisë së lartë në vend, duke konsumuar alkool, duke dëgjuar muzikë dhe duke përdorur telefona celularë.
Të lidhura
None found
Në video shfaqen figura të njohura të botës së krimit, si Lulzim Berisha, Fehmi Mziu dhe Islam Kasa, të cilët shfaqen të relaksuar, duke festuar së bashku me persona të tjerë, të konsideruar si të afërt apo “të besuar” të Kel Arapi.
“Video-skandali në burgun e sigurisë së lartë… festë në qeli me telefon, alkool e ‘mall’…”, shkruan gazetari Vezaj krahas pamjeve.
Po ashtu, në sfond të videos vihet re një televizor i madh, muzikë në volum të lartë dhe një numër i konsiderueshëm të burgosurish të grumbulluar në të njëjtën qeli, ndërsa disa prej tyre bëjnë video, flasin në ‘videocall’, kërcejnë dhe konsumojnë pije alkoolike.
Pas publikimit të videos, ka reaguar edhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, e cila thotë se video është filmuar para janarit në Burgun e Durrësit dhe se një pjesë e të burgosurve që shfaqen në pamje janë identifikuar, por disa rezultojnë të jenë liruar ose transferuar në burgje të Sigurisë së Lartë, si Lul Berisha.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve bën me dije se menjëherë pas publikimit të videos është vënë në lëvizje Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve, i cili ka nisur një hetim të plotë administrativ dhe penal.
Hetimi, sipas tyre, përfshin jo vetëm të burgosurit e identifikuar, por edhe verifikimin e zinxhirit komandues në IEVP Durrës, për të përcaktuar përgjegjësitë në çdo nivel drejtues.
Deklaratë e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve
Në lidhje me videon e publikuar në rrjetet sociale nga gazetari Flamur Vezaj, sqarojmë si vijon:
Së pari, falënderojmë gazetarin për informacionin e bërë publik dhe inkurajojmë çdo qytetar apo gazetar të denoncojë çdo akt të paligjshëm apo shkelje që cenon sigurinë në institucionet penitenciare.
Së dyti, sqarojmë se personat e shfaqur në video janë identifikuar nga strukturat tona dhe rezulton se një pjesë e tyre janë liruar ose transferuar përpara muajit janar 2026.
Menjëherë pas qarkullimit të videos është njoftuar Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve dhe kanë nisur procedurat për hetim të plotë. Hetimi përfshin të gjithë personat e identifikuar në video, si dhe verifikimin e plotë të zinxhirit komandues në IEVP Durrës, me qëllim përcaktimin e përgjegjësive në çdo nivel. Paralelisht, strukturat e IEVP Durrës vijojnë kontrollet intensive me qëllim identifikimin e plotë të përgjegjësive dhe fillimin e çështjeve penale për personat e përfshirë.
Situata aktuale nuk është ajo që paraqitet në video. Kontrollet janë intensifikuar dhe vijojnë në mënyrë të pandërprerë. Në vijim të kontrolleve të ushtruara gjatë muajit prill, gjatë ditës së sotme janë zhvilluar kontrolle të befasishme dhe të imtësishme në disa institucione.
Në IEVP Durrës janë kapur në flagrancë dhe sekuestruar 3 telefona celularë. Poseduesit e këtyre pajisjeve janë ndër personat e identifikuar në video. Ndaj tyre janë marrë masa të menjëhershme, duke u kaluar në veçim dhe duke u proceduar penalisht.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve nuk toleron asnjë shkelje. Çdo rast trajtohet me masa konkrete, përgjegjësi individuale dhe ndjekje penale.
Mesazhi është i qartë: siguria nuk negociohet. Çdo shkelje do të goditet pa kompromis dhe kontrolli në institucionet penitenciare do të vijojë të forcohet çdo ditë.
