Policia e Matit ka asgjësuar 260 bimë narkotike cannabis sativa, që u gjetën të kultivuara në një zonë të pyllëzuar në fshatin Madhesh.
Në pranga ka rënë autori i dyshuar i kultivimit të këtyre bimëve narkotike.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Mat, bazuar në inteligjencë informative dhe si rezultat i zbatimit të planit operacional të koduar “Kreshta të pastra”, për kontrollin e imtësishëm dhe të pandërprerë të territorit me qëllim parandalimin dhe goditjen e tentativave për të kultivuar bimë narkotike, kanë konstatuar të kultivuara në një zonë të pyllëzuar të fshatit Madhesh, njësia administrative Ulëz, 260 bimë narkotike cannabis sativa, të cilat u asgjësuan me anë të djegies”, njofton policia.
Si rezultat i monitorimit të zonës me dron dhe rrethimit të parcelës me punonjës policie u kap duke ruajtur parcelën shtetasi B.S., 26 vjeç, banues në Mirditë, autori i dyshuar i kultivimit të këtyre bimëve, i cili u arrestuar në flagrancë për veprën penale “Kultivim i bimëve narkotike”.
Operacioni policor antikanabis i koduar “Kreshta të pastra”, vijon.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme./Albeu.com