Vetëm disa sekonda punë, momenti kur vidhet BMW që do të përdorej për atentatin e dështuar në Elbasan

AlbEu ka siguruar momentin kur vidhet BMW në Shkodër, e cila u përdor nga autorët për të kryer një atentat në Elbasan, por që dështoi.

Kujtojmë se disa ditë më parë, u tentua eliminimi i Elton Kilas, i njohur si Oti, që dyshohet se u porosit nga Erion Alibej,për shkak të prishjes së pazareve të drogës.

Krimin do ta kryenin dy njerëzit e afërm të Alibejt, Arben Spahiu dhe Arsen Preçi, por plani i tyre dështoi, pasi një punonjës i pastrimit në Elbasan zbuloi në një kosh plehrash, një armë zjarri.

Tashmë të arrestuar, dy autorët e dyshuar, kanë mohuar faktet.

Si u zbulua plani?

Një nga punonjësit e pastrimit në Elbasan, në mbrëmjen e të premtes, zbuloi krejt rastësisht një armë zjarri të hedhur brenda një koshi plerash.

Fillimisht punonjësi, ka njoftuar kolegët e tij dhe mandej është telefonuar dhe policia e Elbasanit, e cila ka shkuar me shumë urgjencë në lagjen “Emin Matraxhiu”.

Policia ka kryer veprime duke sekuestruar armën, ndërsa ka filluar të krehë zonën dhe marrë në pyetje rrojen e një magazine aty afër.

Rroja, i ka treguar policisë se në magazinën e ish-konservimit prej disa ditësh ishte vendosur një automjet pa targa dhe nuk dinte se kush person e kishte lënë.

Policia i është afruar këtij mjeti, ku pas hapjes së tij, janë konstatuar 3 automatikë kallashnikovë, dhe dy shishe me benzinë.

Përmes verifikimeve, policia zbuloi se mjeti pa targa, ishte vjedhur dy javë më parë në Shkodër, dhe i përket një personi pa precedentë penalë.

Ndërsa si posedues të makinës dhe armëve, policia ka zbuluar dy personat Arben Spahiu, i cili rezulton të jetë kunati i Erjon Alibej dhe njëherësh vëllai i Arjan Spahiut të vrarë në Belgjikë.

Si dhe personi i dytë është Arsen Preçi, i cili rezulton të jetë kushëri i Erjon Alibej, dhe banues rreth 30 metra larg vendit ku u gjend makina.

Jo shumë larg këtij vendi, banon dhe Arben Spahiu, i cili në momentin kur ka parë prezencën e policisë në zonë, është larguar me vrap duke u ngjitur në shtëpinë e tij në katin e pestë.

Policia e ka shoqëruar, por Spahiu ka pretenduar se ishte larguar me vrap pasi i druhej një atentati me armë, duke pohuar se atentatorët i ishin afruar me makinën e armatosur shumë pranë banesës së tij.

Por pavarësisht këtyre pretendimeve, policia i komunikoi arrestin dy ditë më parë Arben Spahiut pasi në çantën ku është gjendur pistoleta, ishte dhe një mjet identifikimi me foto dhe emër të Arben Spahiut.

Ndërkohë brenda në makinë u gjetën dy bidona me benzinë si dhe policia ka fiksuar gjurmë gishti dhe fije floku.

Ndërsa aktualisht është kërkuar kryerja e ekspertimit daktiloskopik të gjurmëve, ekspertim biologjik të fijeve të flokut dhe ekspertim balistik të tre automatikëve dhe pistoletës./Albeu.com/