Kur autori i dyshuar i vrasjes së Behar Sofisë, Ernejt Shyti, është larguar në drejtim të kodrave të liqenit pas ngjarjes, ka lënë atje veshjen dhe celularin që ia kishte vënë në dispozicion Skënder Vathi.
Në këtë celular janë gjetur dy mesazhe që Leonar Xhixha ia dërgonte personit të dyshuar Ernejt Shytit. Përmes këtij celulari është loguar vendi ku banonte Ernejt Shyti. Ky i fundit ka dhe një vëlla binjak, i cili ka qenë i arrestuar për vjedhjen e një karburanti në vitin 2017, në fshatin Ibë të Tiranës. Në momentet e para, Policia e Tiranës ka shoqëruar vëllain e tij binjak, sepse ADN-ja e përftuar nga rrobat e gjetura te kodrat e liqenit përkonte e përputhshme dhe me vëllain. Ky i fundit ndodhej në zonën e Krrabës dhe ka pranuar përpara hetuesve se përgjatë ditëve të fundit ai ndodhej te babai i tij, sepse prindërit ishin të divorcuar dhe njëri qëndronte me nënën e tjetri me babanë. Por, ai ka deklaruar përpara hetuesve se ishte Xhuliano Visha një person me rekorde kriminale që kishte njohje miqësore me të vëllain.
IDENTIFIKIMI
Vëllai i të dyshuarit ka treguar dhe banesën ku vëllai i tij qëndronte me nënën dhe është marrë dëshmia e nënës së Ernejt Shytit, e cila ka deklaruar se ka dy djem binjakë, njërin prej të cilëve e ka në Mal të Zi, ku punon si punëtor krahu dhe që rezultoi që ishte larguar në ditën pasi kishte kryer krimin.
Më pas, Policia ka marrë ADN-në e nënës së Ernejt Shytit dhe e ka krahasuar me ADN-në e gjetur në rrobat e Ernejt Shytit. Duke qenë se ADN-ja ka rezultuar e përputhshme, vëllai binjak i Ernejt Shytit është liruar dhe përmes autoriteteve në Malin e Zi, në kohë rekord është bërë dhe ndalimi i tij dhe deportimi në Shqipëri, ku ai ka pranuar ngjarjen dhe ka dhënë detaje lidhur me personat që dyshohet se kanë urdhëruar këtë krim të rëndë. Sepse të gjithë personat e arrestuar janë vetëm organizatorë dhe kanë vepruar si grup i strukturuar kriminal me pagesë dhe janë kontraktuar nga një tjetër grup i fuqishëm, për të cilin është duke u hetuar për identifikimin.
PROVAT
Në informacionet që “News 24” disponon, përveç ADN-së që është një provë e pakundërshtueshme, si dhe rrëfimi i ekzekutorit, ka edhe dhjetëra pamje filmike të kamerave të sigurisë ku shfaqen personat e dyshuar duke kontaktuar me njeri-tjetrin dhe duke bërë plane për ekzekutimin e Behar Sofisë. Ka pamje filmike të Skënder Vathit, ka lëvizje të automjetit të tij që është vëzhguar pas ngjarjes nga Policia, ka deklarime nga vëllai binjak i Ernejt Shytit, të nënës së tij, deklarime të një pjesëtari të komunitetit rom, i cili është shoqëruar si i dyshuar dhe liruar më pas, i cili ka dhënë detaje rreth identitetit të autorit.
Ka qeliza telefonike që provojnë faktin që personat e arrestuar janë takuar gjatë një muaj para se të kryhej vrasja, në disa vende të ndryshme. Po kështu ka pamje filmike të lëvizjeve të Xhuliano Vishës dhe Ernejt Shytit nga Tirana në drejtim të Kërrabës dhe ndërkohë ka dhe lëvizje të tyre me autobusë të linjës. Janë të gjitha provat që në harmoni me njëratjetrën pohojnë katërçipërisht faktin se Ernejt Shyti është autori i ngjarjes, por dhe ai vetë e ka pranuar. Ka të gjitha provat se ky grup i strukturuar kriminal, nën organizimin e Skënder Vathit dhe bashkëpunim të Xhuliano Vishës që ka rekrutuar Ernejt Shytin, por dhe të Leonar Xhixhës kanë ekzekutuar Behar Sofinë./panorama