SNjë 19-vjeçar është vënë në prangat e policisë në Shkodër sepse po qarkullonte me armë zjarri kallashnikov me vete.
Forcat blu bëjnë me dije se janë proceduar penalisht edhe drejtuesi i mjetit dhe dy pasagjerët e tjerë, ndërsa është sekuestruar arma e zjarrit kallashnikov, automjeti tip “Benz” dhe tre telefona celularë.
“Si rezultat i kontrolleve të befasishme, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative se disa të rinj qarkullonin me armë me vete në një mjet “Benz”, shërbimet e Policisë të Forcës së Posaçme “Shqiponja” në DVP Shkodër, në vendin e quajtur “Bregu i Ranës”, në lagjen Guerile, Shkodër, kanë ndaluar për kontroll automjetin tip “Benz” që drejtohej pa leje drejtimi nga shtetasi F. M.
Nga kontrolli i ushtruar në mjet, poshtë sediljes ku ishte ulur shtetasi S. Gj., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë zjarri kallashnikov.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore të kryera nga specialistët e Hetimit të Krimit në Komisariatin e Policisë Shkodër rezultoi se arma e zjarrit i përkiste shtetasit S. Gj., 19 vjeç, banues në lagjen Guerile, Shkodër, pasagjer në mjet, i cili u arrestua në flagrancë për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”.
Gjithashtu u proceduan penalisht drejtuesi i mjetit, shtetasi F. M., 17 vjeç, për veprat penale “Drejtim mjeti në mënyrë të parregullt” dhe “Moskallëzim krimi”, si dhe vëllezërit G. K., 19 vjeç e G. K., 15 vjeç, pasagjerë në mjet, për veprën penale “Moskallëzim krimi” – njofton policia.
Materialet procedurale i kalojnë Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, për veprime të mëtejshme.