Vendimi i Gjykatës së Lartë, fillojnë të mbyllen klinikat e abortit në SHBA

Klinikat kanë filluar të mbyllen në disa shtete amerikane pasi një vendim i Gjykatës së Lartë të premten hoqi të drejtën kushtetuese të grave amerikane për abort.

Rreth gjysma e shteteve amerikane pritet të vendosin kufizime ose ndalime të reja pasi gjykata anuloi vendimin e saj 50-vjeçar të njohur si “Roe v Wade”.

Në 13 shtete janë të ashtuquajturat ligje nxitëse që do të ndalojnë abortin brenda 30 ditëve.

Presidenti Joe Biden e përshkroi vendimin si “një gabim tragjik”.

Në Phoenix, Arizona, policia hodhi gaz lotsjellës pasi protestuesit pro-abortit sulmuan dyert dhe dritaret e kapitolit të shtetit.

“Policia përdori gaz lotsjellës pasi një turmë protestuesish goditën vazhdimisht dyert e dritaret e ndërtesës së Senatit të Shtetit,” tha për CNN zëdhënësi i Departamentit të Sigurisë Publike të Arizonës, Bart Graves.

Në Los Anxhelos, protestuesit bllokuan për pak kohë trafikun në një autostradë.

Protestat pritet të vazhdojnë të shtunën në shumë qytete të vendit.

Presidenti Joe Biden ka kërkuar që Sekretari i Shëndetësisë të sigurojë që gratë të mund të marrin pilula aborti dhe ilaçe të tjera të miratuara nga Administrata e Ushqimit dhe Barnave, njoftoi Shtëpia e Bardhë.