Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për Erion Veliajn, reagon kryeministri Edi Rama

Në një postim në X, kreu i qeverisë, ironizoi duke u shprehur se “u provua se nuk i paskam kapur unë të tëra pushtetet”.

Rama shkruan se nëse Kushtetuesja ka vlerësuar Erion Veliajn dhe s’mund të largohet veçse me zgjedhje, ku sipas Kryeministrit, mbajtja e kryebashkiakut në burg, është në dëm të lirive e të drejtave të tij dhe të banorëve të Tiranës.

“Nëse Tirana nuk do të ketë zgjedhje deri në 2027-ën dhe Kushtetuesja mendon se kryebashkiaku i burgosur i Tiranës nuk mund të largohet përveçse me zgjedhje, atëherë disproporcioni i mbajtjes së tij në qeli nuk është më thjesht në dëm të lirive e të drejtave kushtetuese të personit, po edhe në dëm të së drejtës kushtetuese të popullit të kryeqytetit për t’u shërbyer nga i zgjedhuri i vet apo jo”, deklaron Rama.

Gjithashtu, Rama u shpreh se Gjykata Kushtetuese, kur të gjykojë paraburgimin e Erion Veliajt duhet ta kthejë në detyrë, për të vijuar procesin gjyqësor në gjendje të lirë.

“Çdo njeri normal që nuk sheh tek qëndrimi i Kushtetueses një qëndrim të verbër kundër qeverisë në dëm të madh të Tiranës, po një qëndrim të vendosur parimor, nuk ka se si të mos presë që me të njëjtën parimësi, kur të gjykojë paraburgimin e tij, Kushtetuesja ta kthejë Erion Veliajn në detyrë, për të vijuar procesin gjyqësor në gjendje të lirë apo jo”, shkroi ai.

Kryeministri e ka konsideruar si një ngërç absurd, duke shtuar se kryeqyteti nuk mund të trajtohet si jetim për vite me radhë.

“Ndërkohë le të urojmë që kushdo ka në dorë ta ndihmojë zgjidhjen e këtij ngërçi absurd, të kujtohet se kryeqyteti nuk mund të trajtohet si jetim, për vite me radhë”, theksoi ai.

Reagimi i kryeministrit Edi Rama:

Disa rrjedhime logjike nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese:

1. Ja që edhe njëherë u provua se nuk i paskam kapur unë të tëra pushtetet dhe kjo është një gjë sa e qartë, aq edhe e mirë apo jo🤷🏻‍♂️

2. Nëse Tirana nuk do të ketë zgjedhje deri në 2027-ën dhe Kushtetuesja mendon se kryebashkiaku i burgosur i Tiranës nuk mund të largohet përveçse me zgjedhje, atëherë disproporcioni i mbajtjes së tij në qeli nuk është më thjesht në dëm të lirive e të drejtave kushtetuese të personit, po edhe në dëm të së drejtës kushtetuese të popullit të kryeqytetit për t’u shërbyer nga i zgjedhuri i vet apo jo🤷🏻‍♂️

3. Çdo njeri normal që nuk sheh tek qëndrimi i Kushtetueses një qëndrim të verbër kundër qeverisë në dëm të madh të Tiranës, po një qëndrim të vendosur parimor, nuk ka se si të mos presë që me të njëjtën parimësi, kur të gjykojë paraburgimin e tij, Kushtetuesja ta kthejë Erion Veliajn në detyrë, për të vijuar procesin gjyqësor në gjendje të lirë apo jo🤷🏻‍♂️

Pika 1 dhe 2 janë të sigurta, pika 3 mbetet për t’u parë, ndërkohë le të urojmë që kushdo ka në dorë ta ndihmojë zgjidhjen e këtij ngërçi absurd, të kujtohet se kryeqyteti nuk mund të trajtohet si jetim, për vite me radhë.

 


Shtuar 4.11.2025 12:19