Ministrja e Arsimit, Evis Kushi deklaroi se qeveria ka marrë vendim që tekstet falas për nxënësit e klasave fillore nuk do të rikthehen në fund të vitit. Kushi tha se mosha e tyre e vështirëson mirëmbajtjen. “Tekstet falas për fëmijët nga klasa e parë në klasën e tretë nuk do të rikthehen në fund të vitit. Mosha e tyre e vështirëson mirëmbajtjen. Nxënësit e tjerë do të vazhdojnë me rikthimin e teksteve. Kjo është një mënyrë që i mëson ata edhe të mirëmbajnë librin.”-tha ministrja.
Kushi prezantoi edhe vendimin e dytë që përfshin një buxhet shtesë për të shpërblyer sportistët elitarë bashkë me trajnerët e tyre.
“Vendimi i dytë lidhet me sportin. Kemi kërkuar buxhet shtesë për shpërblimin e sportistëve elitarë. Këtë vit, sportistët tanë elitarë kanë patur rezultate të shkëlqyera. Na kanë bërë krenarë në kampionate evropiane dhe botërore. Këto rezultate i kanë tejkaluar pritshmëritë tona. Janë të specifikuar emrat bashkë me trajnerët e tyre.”,-mbylli ajo fjalën e saj.
Deklarata u bë sot përpara Kryeministrisë në komunikimin e përjavshëm të ministrave të kabinetit që prezantojnë para publikut vendimet e marra./