Kryetari i PD-së Sali Berisha tha se protestat janë e vetmja gjuhë që njeh kjo qeveri.
Në një takim me Frontin për Shpëtimin Kombëtar, Berisha deklaroi se 12 nëntori çel siparin e një përballjeje të vërtetë me këta qeveritarë të cilët nuk kanë të ndalur.
Ai theksoi se një pjesë e vendimmarrjes së qeverisë ndodhet në Ankara apo Beograd dhe se vendi pret t’i dalim zot.
“Biznesi i vogël paguan çmimet më të larta për energjinë në Europë. Një taksë tjetër e pret në janar. Kryeministri shëtit me avion taksi dhe dhomë gjumi në të katër anët e globit, duke u bërë kryeministri më i kushtueshëm në Europë. Në këto kushte është e vonuar protesta e 12 nëntorit dhe unë kam bindjen më të thellë se vetëm me protesta ne duhet të flasim me këtë qeveri. Ko gjuhë tjetër nuk njeh, gjuhë tjetër nuk merr vesh. Ndaj dhe është thirrur protesta e 12 nëntorit për të çelur siparin e një përballjeje të vërtetë me këta qeveritarë të cilët nuk kanë të ndalur. Unë dje kisha një nga takimet më prekëse të jetës sime, fëmijët e një kopshti, fëmijë të cilëve Edi Rama iu mbyll kopshtin me urdhër nga Ankaraja. Se si mund të mbyllet një kopsht fëmijësh, një njeri normal, me dinjiteti nuk mund ta imagjinojë, por kopshti me 250 fëmijë është mbyllur dhe ministrja mori një lavdërim nga ministri i jashtëm i Turqisë për vendimin që mori. Vendimmarrja një pjesë e saj nuk ndodhet më në Tiranë, por ë Ankara, Beograd apo një gjë e tillë, kështu që vendi pret t’i dalim zot”, tha Berisha.