Sekretarja e Brendshme britanike, Suella Braverman tha se vendi përballet me një “pushtim” nga njerëzit që përshkojnë me varka kanalin e Lamanshit, ndërsa reagoi ndaj presionit në rritje për shkeljet e saj të përsëritura të sigurisë.
Zonja Braverman u riemërua ministre e Brendshme nga Kryeministri Rishi Sunak javën e kaluar, gjashtë ditë pasi ajo dha dorëheqjen nga i njëjti post për shkak të dërgimit të një dokumenti qeveritar nga emaili i saj personal në kundërshtim me rregullat.
Duke reaguar në parlament ndaj kritikave se nuk kishte marrë parasysh këshillat ligjore lidhur me ndalimin e zgjatur të migrantëve në një qendër azili në Britaninë jugore, zonja Braverman tha se sistemi aktual është “jofunksional” dhe “jashtë kontrollit”.
“Le të ndalojmë së pretenduari se ata janë të gjithë refugjatë në gjendje të vështirë, i gjithë vendi e di se kjo nuk është e vërtetë,” tha ajo.
Partitë e opozitës dhe madje edhe disa anëtarë të parlamentit në Partinë Konservatore në pushtet kanë vënë në pikëpyetje se zonja Braverman është personi i përshtatshëm për postin.
Të hënën, zonja Braverman pranoi se kishte dërguar dokumente zyrtare qeveritare në adresën e saj personale të emailit gjashtë herë, duke ngjallur shqetësime të reja për shkeljet e rregullave të ministrisë ndërsa ishte në krye të sigurisë së vendit.
Ajo e mbrojti vendimin e saj për mbajtjen e mijëra vetëve në një qendër migrantësh në Kent pasi disa nga kolegët e saj e akuzuan atë për injorimin e qëllimshëm të këshillave ligjore për transferimin e njerëzve nga qendra në hotele.
Kushtet në qendrën në Manston në Kent u cilësuan javën e kaluar nga Kryeinspektori i Pavarur i Kufijve dhe Imigracionit David Neal si “shumë të mjera”.
Në qendër duhet të strehohen rreth 1,500 emigrantë për më pak se 24 orë në të njëjtën kohë, kjo shifër është mëse dyfishuar. Një familje afgane thotë se ka qenë atje për 32 ditë.
Departamenti i Brendshëm ka thënë se shumica e të ndaluarve në Manston janë shqiptarë.
Në përgjigje të pyetjeve para parlamentit zonja Braverman tha se duhet përshpejtuar procesi i shqyrtimit dhe të realizohet “largimi i shtetasve shqiptarë”.
Në përgjigje të një komenti nga deputeti konservator Craig Mackinlay, i cili tha se “asnjë shqiptar i vetëm nuk duhet të pranohet si refugjat”, zonja Braverman tha se ai ka të drejtë.
“Shqipëria nuk është një vend i shkatërruar nga lufta dhe është shumë e vështirë të argumentohet se kërkesat për azil janë legjitime”, tha ajo.
Grupet shqiptare të krimit të organizuar besohet të jenë ndër përgjegjësit kryesorë në dërgimin e migrantëve përmes Lamanshit për në Britani nga Evropa veriore.
Qytetarët nga Shqipëria tani përbëjnë grupin më të madh të vetëm që kalojnë kanalin me varka të vogla, sipas statistikave të qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar.
Qeveria në Londër ka premtuar të përshpejtojë largimin e shqiptarëve që kanë hyrë ilegalisht në vend. /VOA