Veliaj: Demokratët do të refuzojnë të votojnë kandidatët e Ilir Metës

Kandidati i PS për Bashkinë e Tiranës, gjatë një takimi me banorët e Laprakës, ka atakuar sërish kundërshtarët politikë, dy bashkëdrejtuesit e koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Ilir metën dhe Sali Berishën.

Ai tha se dyshja Meta-Berisha po poshtërojnë demokratët. Sipas tij demokratët nuk i lidh asgjë me logon e Ilir Metës.

Ç’i lidh demokratët me Ilir Metën? Shqipëria i dha gjithçka Ilir Metës, president, kryeministër, ministër, gjithë jetën deputet. Saliut president, kryeministër, gjithë jetën deputet. Shqipëria u ka fal këtyre gjithçka. Dhe na doli që Ilir Meta paska qenë fuks, sigurims, 2-lekësh që shkonte spiunonte shokët. Dhe ka hall se preket nga ligji që spiunët dhe non gratat nuk vazhdojnë dot në politikë. Po a është ky halli ynë? Pse ky është halli ynë, kush ka qenë fuks? Ky është halli ynë, kush është non grata?”, deklaroi Veliaj.

Ai tha se më në fund u zbulua edhe se nga dolën paratë me të cilat Berisha hapi fushatën në stadium.

Për të gjithë ata që thonë ku i gjejnë këta lekët, – këta nuk janë as në KQZ, këta nuk marrin as nga buxheti i shtetit, e patë përgjigjen? Rusët çojnë te llogaria e Monikës çdo muaj paratë e tyre. Si ka mundësi nga 3 milion llogari bankare që janë në Shqipëri i ra lloto Monikës? Pse nuk ju sjellin rusët ju? Pse nuk çohet Putini një ditë në mëngjes dhe të thotë “sot në Kremlin do bëjmë të lumtur një njeri në Laprakë dhe do t’i çojmë 15 mijë euro që të habitet në mëngjes dhe t’i gjejë te llogaria vet”. Si ka mundësi që llotaria e Kremlinit i bie vetëm këtyre?! Paguhen nga rusët për ta çuar Shqipërinë mbrapa. Ne do votojmë PS që Shqipërinë ta çojmë vetëm përpara,” deklaroi Veliaj.

Në fund ai tha se demokratët do refuzojnë të votojnë në kutinë e Ilir Metës.

“Në fletë të votimit thuhet, koalicioni i tyre, Ilir Meta. Saliu po bëhet gazi i botës, lolo atje vetëm në stadium, po bëhet gazi i botës dhe i thotë demokratëve: “Votoni Ilir Metën”. A ka poshtërim me të madh që i bëhet çdo demokrati, që njeriu që ka dhunuar më shumë të djathtën, që ka fyer më shumë demokratët, që ka përçudnuar dhe sabotuar çdo qeverisje të së djathtës në Shqipëri, sot i thuhet votoni Ilir Metën, sepse në fletë votimi kandidatët, emri, kryesia e atij koalicioni të non gratave dhe fuksave është e Ilir Metës. Nëse ka demokrat që pranon të fyhet në këtë mënyrë, unë nuk kam çfarë them më. Por di të them se shumica e demokratëve që njoh, nuk i lidh asgjë me Ilir Metën, nuk i lidh asgjë me non gratën,” u shpreh Veliaj.


Shtuar 21.04.2023 18:42