Vdekja misterioze e Joy Ayoko, Ministria e Drejtësisë dërgon letërporosi në Kenia

Ministria e Drejtësisë ka dërguar në Kenia një letërporosi në lidhje me vdekjen ende të pazbardhur të Joy Aokos.

Ndërkohë në vendin tonë janë caktuar 3 ekspertë që po merren me zbërthimin e akt-ekpsertizës rreth dinamikës së ngjarjes dhe plagëve në trupin e të resë nga Kenia.

Me mbërritjen e përgjigjes nga shteti afrikan, përfundimet e ekspertëve shqiptarë do të analizohen në mënyrë që të gjendet një version përfundimtar i ngjarjes.

Disa aparate celulare janë gjithashtu duke u verifikuar, mes të cilëve edhe ai i shtetasit Rodi Baçi, ish-shoferi i kazinosë ku punonte e reja dhe i përfolur si ish-i dashuri i viktimës.

Ende nuk është konfirmuar gjetja e ndonjë të dhëne me vlerë dhe që do të përcaktonte hetimet nga kontaktet e viktimës me persona të dyshimtë të përfshirë në ngjarje.

Kujtojmë që disa ditë më parë Rodi Baçi u mor në pyetje, gjithashtu edhe disa shokë të tij, me qëllim për të ndeshur ndonjë element të dyshimtë apo kontradiktor që mund ti çonte hetuesit drejt një piste konkrete për ngjarjen.

Megjithatë, pasi janë marrë në pyetje për disa orë, ata nuk kanë kontradita dhe nuk kanë ngritur dyshime se mund të kenë dijeni, arsye për të cilën edhe janë lënë të lirë.

Teksa asnjë version nuk përjashtohet, besohet se Joy ka rënë nga lartësia në vendin ku është gjetur, megjithatë është mjaft e vështirë të përcaktohet nëse është shtyrë, ka qenë incident nga pakujdesia e të resë apo veprim në kushtet e ekstremitetit që viktima ta ketë marrë vetë.

Nuk përjashtohet edhe rasti kur e reja mund të jetë nxitur ta kryente një veprim të tillë.