Tregtari polak i armëve, Andrzej Izdebski, i cili ishte edhe në listën e zezë të SHBA-së, ndërroi jetë për shkak të ndalimit të menjëhershëm të zemrës ka bërë të ditur për ‘Balkanëeb’, eksperti mjeko-ligjor Elton Serani.
Autopsia e të ndjerit është bërë më 27 qershor, një javë pasi u gjet i vdekur brenda banesës së tij dhe ka konfirmuar dyshimet e para të mjeko-ligjorëve se vdekja ka ardhur për shkaqe natyrale. Në atë kohë policia e Tiranës informoi se një shtetas polak ishte gjetur pa shenja jetë në një banesë që kishte marrë me qira në bulevardin “Bajram Curri”, duke mos e identifikuar viktimën, por duke dhënë vetëm inicialet e polakut.
Mediat polake raportuan se Izdebski u largua nga Polonia në fund të vitit 2020. Një vit më parë, u zbulua se Ministria e Shëndetësisë kishte blerë mbi një mijë respiratorë, duke shpenzuar 200 milionë PLN (rreth 42 milion euro).
Skandali shpërtheu kur rezultoi se respiratorët ishin blerë nga kompania E&K , e cila drejtohej ndër të tjera nga një tregtar armësh dhe departamenti mori në dorëzim vetëm 200 nga 1241 respiratorë të porositur. Për më tepër, rezultoi se pajisjet nuk kishin dokumentacionin e duhur, megjithëse 154 milionë PLN (rreth 32.6 mijë euro) kishin kaluar tashëm në llogarinë e tregtarit.
Të dhënat e fundit të Ministrisë së Shëndetësisë tregojnë se ministria ka rikuperuar gjysmën e shumës që kishte paguar në atë kohë. Pas skandalit, Izdebski nuk u ndalua të largohej nga vendi çka bëri që ai të zhdukej, për tu marrë vesh më vonë që kishte përfunduar në Shqipëri.