Policia ka shoqëruar 6 persona në lidhje me dhunimin barbar që çoi drejt vdekjes të renë nga Kenia, Joy Aoko. Burime bëjnë me dije se është shoqëruar Rodi Barçi, shoferi i kazinosë dhe shokët e tij.
Gjithashtu janë ushtruar kontrolle në 4 banesa.
Kujtojmë që më datë 25 shkurt janë shoqëruar dhe marrë në pyetje shoferi i kazinosë, Rodi Barçi dhe shoqja e Joyt, Emili Mutua.
Më herët gjatë shoqërimit shoferi i kazinosë ka mohuar të ketë pasur një konflikt me vajzën keniane. “Nuk kam pasur konflikte me Joyn”, ka thënë ai.
Prej 14 gushtit të vitit 2022 vajza nga Kenia u shtrua për kurim në spitalin e Traumës, pasi u dhunua brutalisht dhe u hodh nga kati i dytë i banesës ku jetonte në rrugën “Pandeli Evangjeli” në Tiranë, megjithëse ngjarja është ende e mbuluar me mister.
Ajo ndërroi jetë në Kenia pasi u transferua atje pas muajsh të tërë qëndrimi në spitalin e Traumës.
Rasti i dhunimit të 22-vjeçares solli në Tiranë edhe përfaqësues të ambasadës keniane në Itali. Ata diskutuan me nënën e Joy, mjekët që kujdeseshin për të renë në spital dhe më pas u takuan me efektivët e policisë që po hetojnë ngjarjen, të cilët i kanë çuar në banesën ku ndodhi dhunimi brutal i 22-vjeçares.
Dyshohet se 22 vjeçarja është hedhur nga ballkoni i dhomës së pallatit ku qëndronte, dhe denoncimin në polici e bëri nga një prej shoqeve. E reja punonte në një kazino të Tiranës ku jetonte prej kohësh së bashku me disa shoqe të saj gjithashtu nga Kenia. Nëna e vajzës keniane, që jetonte në Tiranë me disa shoqe të saj, u njoftua nga kompania e kazinosë që vajza e saj kishte përfunduar në spital. Sipas saj vajza u kishte treguar shoqeve se përndiqej nga një shofer taksie i cili vazhdimisht i kërkonte të krijonin raporte intime./Albeu.com/