Gjykata e Lartë ka refuzuar rekursin, duke lënë të pandryshuara dënimet ndaj mjekëve Elona Burba dhe Petrit Rexhepi. Ata u shpallën fajtorë për veprën penale të “mjekimit të pakujdesshëm” ndaj Dorjana Hakës, bashkëshortes së ish-portierit Alban Hoxha.
Elona Burba mori një dënim me 1 vit burg, i cili u zëvendësua me dy vite shërbim prove. Asaj iu ndalua gjithashtu ushtrimi i profesionit të mjekut për dy vite. Ndërsa Petrit Rexhepi, u dënua me 6 muaj burgim, masë që iu konvertua në 1 vit shërbim prove.
Të lidhura
None found
Burba e kundërshtoi vendimin përmes një rekursi në Gjykatën e Lartë. Pas shqyrtimit të plotë të çështjes, gjykata vendosi të mos e pranonte kërkesën, pasi nuk gjeti shkelje.
Sipas saj, përfundimet e arritura nga Gjykata e Apelit janë të drejta dhe mbështeten në një analizë të kujdesshme, të zhvilluar në përputhje me ligjin.
Gjykata supreme vlerësoi se Apeli kishte konstatuar me të drejtë mjekim të pakujdesshëm ndaj Dorjana Hakës. Mjekët nuk kishin kryer analizat e nevojshme përpara ndërhyrjes kirurgjikale, përmes së cilës pacientja do të sillte në jetë fëmijën e saj të parë.
Sipas vendimit, përkeqësimi i gjendjes shëndetësore të Dorjana Hakës mund të ishte parandaluar nëse personeli mjekësor, përfshirë dy të pandehurit, do të kishte realizuar testet e koagulimit para operacionit.
Në arsyetim theksohet se anestezistja Elona Burba dhe kirurgu obstetër Petrit Rexhepi po përgatiteshin për një operacion të planifikuar. Për këtë arsye, ata kishin të gjithë kohën e nevojshme për t’u siguruar që Dorjana Haka t’u nënshtrohej analizave dhe ekzaminimeve të parashikuara në protokollin mjekësor në fuqi.
Gjykata e Lartë e cilësoi moskryerjen e testit të koagulimit përpara ndërhyrjes kirurgjikale si neglizhencë mjekësore të pajustifikueshme.
Vendimi rrëzon edhe pretendimet e të pandehurve se protokolli mjekësor ishte respektuar. Gjykata argumentoi se rasti nuk mund të konsiderohej një komplikacion objektivisht i pashmangshëm sipas shkencës mjekësore, pasi protokolli kërkonte kryerjen e testit të koagulimit pikërisht për të shmangur një ndërlikim të tillë të mundshëm.
Dorjana Haka, lindi fëmijën e saj të parë, një djalë, më 4 nëntor 2014. Pas tri ditësh, gjendja e saj u komplikua dhe ajo u transferua nga një spital në tjetrin. Haka ndërroi jetë në ditën e 16-të të qëndrimit në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza.
Denoncimi për mjekim të pakujdesshëm u paraqit nga babai i së ndjerës. Për vite me radhë, familja e Dorjana Hakës ka ndjekur proceset gjyqësore, duke kërkuar drejtësi për humbjen e saj.
