Vdekja e 3-vjeçares në Elbasan, flet babai: Nuk e di si më iku goca, mjeku na tha virozë

Orët e para të mëngjesit të ditës së sotme, një vajzë rreth 3 vjeç është dërguar me urgjencë në spitalin e Elbasanit dhe për pasojë ka ndërruar jetë.

Në lidhje me këtë ngjarje tragjike, ka folur babai i të miturës, Agim Islami, i cili tregon se vajza kishte ditë që ishte sëmurë. Në një vizitë që i kishin bërë para disa ditësh mjeku i kishte thënë se ishte virozë dhe i kishte dhënë ilaçe.

Sipas babait, mbrëmë 3-vjeçarja ishte bërë keq dhe e çuan me urgjencë në spital, por nuk ka arritur të mbijetojë.

“Goca dy vjeç e gjysmë, pa u sëmurë asnjëherë. U sëmur para një jave, e sollëm në spital para 3 ditësh, doktori më tha virozë. Më dha një qese me ilaçe, e çova në shtëpi kur dje u bë goca keq, iu nxi buza. E çova në spital, mori dy bidonë me serum, goca vdiq. Sesi më iku goca, nuk e di. Për shkakun e vdekjes nuk na kanë thënë asnjë gjë, nuk di gjë fare”, tha babai.

Njoftimi i policisë:

Elbasan/ Informacion paraprak

Më datë 19.01.2022, në orët e para të mëngjesit është dërguar në spitalin e Elbasanit, në gjendje të rëndë për jetën, shtetasi i mitur A. I., 3 vjeç, i cili pas disa orësh ka humbur jetën.

Grupi hetimor ka kryer veprimet e para hetimore në vendngjarje dhe pritet ekspertiza mjeko-ligjore për përcaktimin e shkakut të humbjes së jetës./albeu.com


Shtuar 19.01.2022 11:12