Vdekja e 24-vjeçarit në gurore në Vlorë, vihet në pranga drejtuesi teknik i firmës

Pasditën e djeshme, humbi jetën 24-vjeçari Jurgen Veshi, në Brataj të Vlorës. I riu po punonte me skrep në një gurore.

Sakaq, policia ka vënë në pranga drejtuesin teknik të punimeve Erald Breganaku.

34-vjeçari banues në Tiranë me detyrë drejtues teknik i gurores në fshatin Brataj, sipas policisë dyshohet se nuk ka marrë masat për zbatimin e rregullave të mbrojtjes në punë, në këtë gurore.

Policia një ditë më parë shoqëroi disa persona mes tyre edhe administratorin, ndërkohë që gurorja kishte pak ditë që ishte hapur.

I riu humbi jetën pasi e goditi një masiv gurësh, teksa po punonte me skrep në firmën ‘Xhindolli’.

“Vlorë/Vihet në pranga, për shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë, drejtuesi teknik i gurores në fshatin Brataj, ku dje humbi jetën një punëtor.

Në vijim të veprimeve hetimore për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes së ndodhur ditën e djeshme, në fshatin Brataj, ku gjatë punës në gurore, humbi jetën pasi dyshohet se gjatë punimeve me skrep u dëmtua nga gurët, shtetasi J. V., 24-vjeç, specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Selenicë kanë arrestuar shtetasin:

E. B., 34-vjeç, banues në Tiranë, me detyrë drejtues teknik i gurores në fshatin Brataj, pasi dyshohet se nuk ka marrë masat për zbatimin e rregullave të mbrojtjes në punë, në këtë gurore.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtje në punë”,– njofton policia.