Mëngjesin e sotëm, zjarri ka përfshirë një fabrikë për prodhimin e këpucëve në autostradën Tiranë-Durrës.
Policia informon se në vendngjarje kanë shkuar uniformat blu dhe se zjarrfikëset po punojnë për shuarjen e flakëve.
Ndërkohë, zona është “pushtuar” nga shtëllunga të mëdha tymi, por ende nuk dihen shkaqet e zjarrit.
“Më datë 31.07.2024, në fshatin Picar, ka rënë zjarr në një fabrikë për prodhimin e këpucëve. Në vendngjarje janë shërbimet e Policisë dhe zjarrfikëset të cilat po punojnë për fikjen e zjarrit”,-tha policia.
Ndërkohë, Presidenti i PL, Ilir Meta, u ka bërë thirrje institucioneve shtetërore të reagojnë për problemin e madh që ka shkaktuar zjarri, në një biznes në autostradën Tiranë-Durrës.
Pasojat e atij zjarri janë të shumëanshme.
“Një dramë e madhe po ndodh në Vorë, vetëm 17 km larg nga qendra e Tiranës, në një prej bizneseve private më të mëdha të zonës, të përfshirë prej orësh nga flakët, që ende nuk janë shuar”, – shkruan Meta krahas pamjeve që publikon.
Dëmi pasuror llogaritet në shifra tepër të larta, ndërkohë që reagimi institucional në mbrojtje të pronës private është pothuajse inekzistent.
Sipas të dhënave paraprake, vetëm dy zjarrfikëse po luftojnë për shuarjen e flakëve, ndërsa e gjithë Vora është pa drita.
“Qëndrimi “duarkryq” është i dënueshëm dhe i papranueshëm! U bëj thirrje të fortë institucioneve shtetërore të reagojnë sa më parë për t’i dhënë zgjidhje të menjëhershme kësaj situate tepër të rëndë dhe me pasoja tepër serioze për mbarë komunitetin e Vorës!”, nënvizon Ilir Meta.