Zjarret vijojnë të jenë aktive në territorin e bashkisë së Krujës. Përhapja e flakëve po ndihmohet nga era e fuqishme dhe terreni i vështirë, ndërsa strukturat e emergjencave civile, shërbimet zjarrfikëse dhe Forcat e Armatosura mbeten në gatishmëri.
Pasditen e sotme, flakët janë riaktivizuar në lagjen Abaze, në të njëjtën zonë ku dy ditë më parë shpërtheu vatra që kërcënoi drejtpërdrejt qytetin e Krujës. Për pengimin e avancimit të zjarrit janë angazhuar në terren efektivë të shumtë zjarrfikës, forca ushtarake dhe banorë të zonës.
Të lidhura
None found
Edhe zjarri në fshatin Halil mbetet aktiv. Përpjekjet për shuarjen e tij po kryhen njëkohësisht nga ajri, përmes helikopterëve të Forcave Ajrore, dhe nga toka, ku terreni i thyer po pengon ndjeshëm punën e forcave operacionale.
Ndërkohë, Prefektura e Durrësit bën të ditur se vatra në Krastë po i afrohet vënies nën kontroll. Rreth 50 efektivë të Forcave të Armatosura dhe pjesëtarë të shërbimeve zjarrfikëse kanë vepruar gjatë ditës të ndarë në dy grupe, me synimin për të përforcuar rezultatet e operacionit gjatë natës, kur flakët u vunë përkohësisht nën kontroll.
