Variantet e reja të Covid-it, Manastirliu: Vaksina e vetmja armë për t’u mbrojtur nga virusi

“Vaksinimi me dozën e tretë është shumë i rëndësishëm për të gjithë ata të cilët e kanë bërë vaksinën përpara 6 muajve. Ndaj ftoj të gjithë qytetarët edhe njëherë të mos e neglizhojnë bërjen e dozës së tretë, ashtu sikurse ne duhet të ecim me dozat e para të vaksinave, në mënyrë që të arrijmë mbulesë vaksinale sa më të gjerë”. Nga qendra shëndetësore e Vorës, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale apeloi qytetarët të vaksinohen sa më parë kundër Covid-19, në një kohë kur Organizata Botërore e Shëndetësisë ka rritur alertin për variantet e reja të COVID-19.

Duke folur për rëndësinë e vaksinimit, Ministrja e Shëndetësisë tha se faktet tregojnë se të shtruarit që aktualisht janë në spital, janë kryesisht të pavaksinuar.

“Vaksinimi është e vetmja armë që ne kemi për të kufizuar përhapjen e pandemisë dhe sigurisht për të shmangur format e rënda të sëmundjes apo fatalitetet. Ashtu sikurse po shihen edhe nga të dhënat që ne kemi nga spitali Infektiv, mbi 94% të rasteve të shtrimeve me komplikacione janë ata të cilët nuk janë vaksinuar. Është një infektim i rasteve të pavaksinuara, pra i pavaksinuarve quhet epidemia e të pavaksinuarve në fakt sepse është aty ku po shohim një përhapje të gjiërë të virusit. Dhe për këtë arsye nevojitet një sensibilizim i shpejtë”, tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu apeloi edhe për vaksinimin kundër gripit, për të përballuar sa më mirë sezonin e dimrit.

“Përsa i përket vaksinave të gripit ne kemi ecur me ritme të mira. Janë më shumë se 140 mijë vaksina gripi të kryera deri më tani në të gjitha qendrat shëndetësore dhe ambulancat ku kryhet ky vaksinim kundër gripit sezonal. Ajo çfarë na pret përpara është sezoni i dimrit. Ndaj duhet të sigurojmë që të gjithë ata qytetarë që janë me sëmundje bashkëshoqëruese dhe që janë grupmosha +60 vjeç të mundet të vaksinohen menjëherë me vaksinën e gripit, sikundër vaksina kundër Covid-19 është një detyrë e personelit shëndetësor për të vazhduar dhe për t’u marrë me shumë seriozitet me çdo familje”, tha Manastirliu.

Në të gjithë vendin vijon vaksinimi kundër Covid-19 në qendrat shëndetësore do ditë të javës, për çdo qytetar mbi 16 vjeç si dhe për fëmijët 12-15 vjeç, sipas rekomandimit të mjekut. Deri tani janë kryer 2,088,394, teksa janë mbi 60 mijë qytetarë që e kanë kryer edhe dozën e tretë të vaksinës.


Shtuar 27.11.2021 11:17