Vangjeli mesazh demokratëve: Me Berishën lëviz dicka, por nuk fitohet

Lorenc Vangjeli ashtu si shumë analistë të tjerë është shprehur se me Sali Berishën në krye, Partia Demokratike nuk mund të fitojë, por mund të ngrihet deri në gjysmë të humnerës.

I ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit”, Vangjeli tha se në PD po thuhen gjysmë të vërteta.

“Askush nuk e ndalon dot Berishën të kandidojë.

Por duke thënë këtë kemi thënë gjysmën e të vërtetës. U duhet thënë demokratëve, me Sali Berishën, mund të ngriheni deri te gjysma e humnerës por nuk fitoni.

Ka një gjë që e harrojmë. Hipokrizi totale. Nëse pyet sot Berishën, cili është sukesi më i madh që ka patur Shqipëria? Njëra prej tyre anëtarësimi në NATO. Ajo që po ndodh në Ukrainë tregon sa e rëndësishme është kjo. Por çfarë ishte kjo? Për hir të sigurisë dhe stabilitetit të vendit, kemi transferuar një pjesë të sovranitetit tonë në këtë organizatë.

Por, të gjithë këta të tjerët, që ngrihen dhe flasin me në krye Berishën, thonë që ne nuk ia japim sovranitetin e PD, Amerikës, vendit që drejton NATO-n. E kupton sa kërcet?

Janë të pafuqishëm për të pranuar gjysmën tjetër të së vërtetës”, tha Vangjeli.