Vaksinimi në Shqipëri: Këtë jav nis vaksinimi për punonjësit e transportit!

Gati 6 muaj pas hapjes, spitali COVID 3 (ishkirurgjitë në QSUT) është mbyllur në fundjavë. Kjo për shkak të numrit të reduktuar të pacientëve të mbetur në këtë pavijon, të cilët janë transferuar në Spitalin Infektiv.

Sipas autoriteteve shëndetësore, aktualisht në spitalet COVID në Tiranë dhe tre spitalet rajonale po trajtohen 175 pacientë, 14 në terapi intensive, nga të cilët 3 pacientë janë të intubuar. Çka do të thotë se më pak se 1 për qind e të infektuarve aktivë janë duke marrë trajtim spitalor. Disa ditë më parë u mbyll edhe spitali COVID 4 i hapur po ashtu në ndihmë të pacientëve të infektuar me COVID-19. Kjo u konfirmua edhe nga Ministrja e Shëndetësisë Manastirliu, e cila tha se këto struktura do të vijojnë të jenë në gatishmëri.

RASTET

Rënia e rasteve të reja ka nisur të vërehet që prej muajit mars. Gati më shumë se 5 javë nga Dita e Verës, shkalla e infeksionit vijon të pësojë ulje duke dëshmuar qartazi atë që ekspertët i kanë mëshuar në fundvit se jemi në prag të imunitetit natyror. Për Akademinë e Shkencave, Tirana e ceku imunitetin e grupit që në dhjetor, ndërsa projeksionet tregonin se në muajt prill dhe maj do të ishte e imunizuar më shumë se gjysma e popullsisë. Të dhënat e Ministrisë së Shëndetësisë tregojnë se prej fillimit të pandemisë janë 129,594 persona që kanë kaluar koronavirusin, ose rreth 5 për qind e popullsisë. Por, kjo panoramë e paraqitur përmes shifrave zyrtare është tejet larg situatës reale. Lidhur me rastet e reja të regjistruara një ditë më parë, janë 138 persona të konfirmuar pozitivë nga 2480 testime të kryera. “Janë kryer 2480 testime, nga të cilat kanë rezultuar pozitivë 138 qytetarë. Rastet pozitive të konfirmuara janë identifikuar në këto bashki: 43 raste në Tiranë, 12 në Shkodër, 9 në Fier, 8 në Gjirokastër, nga 7 raste në Elbasan, Vlorë, nga 4 raste në Durrës, Devoll, Kamzë, nga 3 raste në Lezhë, Lushnje, Berat, Fushë Arrëz, Skrapar, Vorë, nga 2 raste në Kukës, Mat, Shijak, Poliçan, nga 1 rast në Krujë, Korçë, Has, Kavajë, Mallakastër, Librazhd, Tepelenë, Dimal, Vau i Dejës, Divjakë, Malësi e Madhe, Roskovec, Patos, Cërrik”, ka bërë me dije Ministria.

RASTET FATALE

Rënie kanë pësuar edhe rastet fatale. Të dielën janë raportuar 2 humbje jete si pasojë e COVID-19. “Me gjithë përpjekjet e stafit mjekësor, 2 qytetarë e kanë humbur betejën me COVID-19: 1 qytetar nga Shkodra, 1 qytetar nga Skrapari, të moshave 71 – 75 vjeç”. Por, kjo është vetëm maja e ajsbergut, pasi të dhënat nga Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile dhe nga INSTAT tregojnë se përgjatë një viti pandemik janë regjistruar mbi 10 mijë vdekje shtesë në krahasim me mesataren e 5 viteve të kaluara. Por prej tyre vetëm 2,342 kanë si shkak të njohur koronavirusin, pjesa tjetër mbeten në hije. Referuar të dhënave zyrtare, gati 67 personave që kanë ndërruar jetë si pasojë e COVID-19 janë burra dhe 33 për qind janë gra. Sa u takon grupmoshave, përqindjen më të lartë e zë grupmosha mbi 70 vjeç. Gati 48 për qind e fataliteteve janë mbi 70 vjeç.

VAKSINË PËR PUNONJËSIT E TRANSPORTIT

Të dielën kanë mbërritur edhe 50 mijë doza të vaksinës AstraZeneca, dhuratë nga India. Nga aeroporti “Nënë Tereza”, Ministrja e Shëndetësisë tha se me ardhjen e mbi 200 mijë dozave të tjera, këtë javë nis vaksinimi antiCOVID edhe për punonjësit e transportit publik, si fillim ai ajror. “Javën që vjen, duke filluar nga nesër, presim mbi 200 mijë doza vaksine. Po vijohet me operatorët turistikë, dhe do të shtrihemi javën e ardhshme edhe në targetin e punonjësve të transportit publik, duke filluar me punonjësit e transportit ajror, me punonjësit e Air Albania”, tha Manastirliu. /panorama

 


Shtuar 19.04.2021 08:29