“Vajza e Palestinës” që u vra nga izraelitët, e cila u kthye në simbol të botës arabe

Shumë është thënë tashmë për jetën dhe trashëgiminë e Shireen Abu Akleh, një gazetare me përvojë e Al Jazeera-s, e cila u vra nga forcat izraelite më 11 maj gjatë një bastisjeje në Bregun Perëndimor të pushtuar.

Abu Akleh, e cila iu bashkua Al Jazeera-s në moshën 26-vjeçare, ia kushtoi jetën e saj raportimit për jetën e përditshme të palestinezëve nën pushtimin izraelit. Ndaj dhe është bërë një simbol i raportimit për palestinezët në miliona familje arabe, e quajtur ndryshe dhe si “vajza e Palestinës”.

Abu Akleh u qëllua teksa ndiqte një bastisje izraelite në kampin e refugjatëve Jenin, në veri të Bregut Perëndimor të pushtuar. Qeveritë në mbarë botën, si dhe grupet e të drejtave të njeriut, e kanë dënuar vrasjen e saj.

Një javë pas vdekjes së saj, Al Jazeera kujtoi arritjet e saj gazetareske.

Bashkëthemeluese dhe punonjëse e radios “Zëri i Palestinës”

Gjatë Intifadës së parë nga viti 1987 deri në vitin 1993, Abu Akleh studioi gazetari dhe media në Universitetin Yarmouk në Jordani, në një kohë kur forcat izraelite po mbyllnin universitetet në territorin që kishin pushtuar. Kthimi i saj në Bregun Perëndimor të pushtuar përkoi me nënshkrimin e Marrëveshjes së Oslos në 1993. Me 12 kolegë të tjerë, ajo iu nënshtrua gjashtë muajve të trajnimit në radio dhe menjëherë pas kësaj, në 1994, ata krijuan Zërin e Palestinës (Sawt Filasteen).

“Themelimi i radiostacionit të parë për Palestinën, nga vetë Palestina, ka ngjallur një ndjenjë krenarie”, tha ajo më vonë në një intervistë për Al Jazeera.

Një nga gazetaret e para femra në terren në botën arabe

Abu Akleh erdhi në Al Jazeera në vitin 1997, një vit pas krijimit të Rrjetit, si gazetare në terren që raportonte nga Jerusalemi. Në atë kohë kishte shumë pak gra në rolin e saj, ndaj dhe ajo hapi rrugën dhe shërbeu si frymëzim për shumë gazetarë të rinj.

“Ka disa ngjarje që nuk mund të anashkalohen, siç janë inkursionet izraelite në Bregun Perëndimor.”

Një nga raportimet më të paharrueshme është evakuimi izraelit i vendbanimeve në Rripin e Gazës në vitin 2006. Ekipi i saj mori me qira një shtëpi në një nga vendbanimet, me slogane anti-arabe në mure dhe kujdes që të mos fliste arabisht para kolonëve.

“Pavarësisht tensioneve që shoqëruan raportimin treditor, ishte e mrekullueshme të isha atje, në një vend që, pasi kontrollohej prej kohësh nga kolonët, u është kthyer pronarëve”, tha ajo.