Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen ka mbërritur në Tiranë, ku ka nisur sot turin e saj në vendet e Ballkanit Perëndimor.
Von der Leyen, është pritur me ceremoni në ambientet e Kryeministrisë, nga kreu i qeverisë Edi Rama.
Vizita e presidentes së KE-së, është pjesë e turit të Ballkanit Perëndimor me fokus paketën e BE-së për rritje dhe reforma në rajon, e cila përfshin ndihmë financiare prej 6 miliardë euro për këto vende.
Sipas axhendës së publikuar nga Kryeministria, Von der Leyen, pritet të zhvillojë një takim me kryeministrin Edi Rama.
Pas takimit, Edi Rama dhe Ursula von der Leyen, do të zhvillojnë një konferencë të përbashkët për shtyp.
Ndërsa rreth orës 17:00, Edi Rama dhe Presidentja e KE-së, do të marrin pjesë edhe në ceremoninë e hapjes së Kampusit të Kolegjit të Europës.
Ky është i pari kampus që hap dyert jashtë një vendi të Bashkimit Europian.