Ulet lehtë çmimi i vajit! Por pse konsumi është në rënie?

Çmimi i shitjes së vajit të lulediellit ka pësuar një rënie të lehtë në 375 Lekë/litër, nga 381 Lekë/litër që ishte më parë.

Pak ditë më parë Bordi i Transparencës vendosi heqjen e tavanit te çmimi i vajit të lulediellit, por mbajti të pandryshuar marzhin e fitimit 35 Lekë për importuesit, tregtarët e shumicës 2 Lekë dhe dyqanet e pakicës 4 Lekë/litër.

Grosistët e kontaktuar nga “Monitor” pohuan se tkurrja me rreth 1.6% e çmimit të shitjes me pakicë është ndikuar nga hapja e disa furnizimeve nga Ukrainë dhe Maqedonia e Veriut.

Tregtarët janë furnizuar nga Ukraina me vaj luledielli me çmim 315 Lekë/litër. Pavarësisht rënies së çmimit shqetësim për importuesit në këtë periudhë është rënia e shitjeve deri 50% krahasuar me vjet.

“Në këtë periudhë në treg po hyn vaj me çmime të ndryshme. Te rënia e çmimit të vajit kanë ndikuar importet e Ukrainës. Shumë tregtarë në këtë periudhë kanë kryer furnizime nga ky shtet me çmim 315 Lekë/litër. Importet nga Ukraina nuk janë të sigurta për shkak të luftës dhe nuk mund të parashikohet se sa do zgjasin. Bordi i Transparencës nuk ka më rol në mbajtjen në kontroll të çmimit të vajit, pasi të gjithë importuesit janë të interesuar të shesin produktin e tyre. Aktualisht nuk po shitet vaj. Konsumi i vajit është i ulët, për shkak të magazinimit të produktit nga familjarët dhe shitjeve të vajit me çmim më të lirë që hyn kontrabandë nga Maqedonia e Veriut. Në këtë shtet përpunohet vaji grexho që vjen nga Bullgaria dhe shumë sasi dalin kontrabandë”, pohoi një nga grosistët e vajit.

Disa importues arritën të siguronin sasi të limituara vaji nga Ukraina me çmim 340 deri 350 Lekë për litër edhe në muajin prill. Në këtë periudhë çmimi i vajit nga tregtarët e pakicës për konsumatorin shitej 385 Lekë/litër.

Në muajin maj për shkak të bombardimeve në pjesën Lindore të Ukrainës operatorët ndërprenë furnizimet nga ky vend. Furnizimet e Ukrainës zgjasin në treg për 1 muaj. Importuesit edhe më herët paralajmëruan se furnizimet e Ukrainës me çmim 40 Lekë më të lirë për litër, mbartin riskun e mos mbërritjes të ngarkesës për shkak të luftës.

Bizneset në Ukrainë për shkak të frikës të asgjësimit të rezervave të tyre tentuan të gjejnë rrugë eksportimi në formën e trans-shiping (kalimi nga bankerat e trenave nëpër botet të kamionëve të transportit drejt 3 shteteve që kufizohen me Ukrainën, si: Polonia, Hungaria dhe Rumania.

Sakaq vendimi i Bordit të Transparencës parashikon që çmimi i vajit do të përcaktohet i ndarë, duke marrë në konsideratë faturat e zhdoganimit dhe kostot operative të grosistëve që importojnë vaj të botiluar dhe atyre që importojnë vaj të përpunuar, por ambalazhimin e bëjnë në Shqipëri. Kjo do të sjellë që çmimet nga disa operatorë të jenë më të ulëta, kurse për të tjerë më të larta.

Pas nisjes të luftës, në tregun e shitjes me pakicë vaji i lulediellit ka pësuar rritjen më të lartë të çmimit në produktet e shportës ushqimore. Në muajin mars çmimi i vajit të lulediellit u tregtua 330 Lekë për litër nga 249 Lekë për litër që ishte në muajin shkurt (32.5% rritje). Pas kësaj periudhë çmimi u rrit edhe rreth 12% dhe arriti 370 Lekë për litër. Për 5 javë, nga fundi i muajit prill deri në fillim të qershorit, Bordi i Transparencës mbajti të pandryshuar çmimin e shitjes. / D. Azo-Monitor/