Ukraina: Sulmet ruse në rrjetin e energjisë përbëjnë gjenocid

Sulmet e Rusisë në infrastrukturën ukrainase të energjisë përbëjnë gjenocid, ka thënë Prokurori i Përgjithshëm i Ukrainës, Andriy Kostin, për transmetuesin britanik, BBC.

Sulmet në objektet kyçe kanë shënjestruar “gjithë kombin ukrainas” dhe kanë qenë përpjekje për të arritur te dorëzimi i Kievit, ka thënë ai.

Sipas Konventës së Kombeve të Bashkuara, gjenocidi përfshin “synimin për të shkatërruar, pjesërisht apo plotësisht, një grup kombëtar, etnik, racor apo fetar”.

Miliona persona në Ukrainë janë duke u përballur me ndërprerje të energjisë elektrike në mot të ftohtë, si pasojë e sulmeve ruse.

Prokurori Kostin ka thënë se zyra e tij është duke hetuar më shumë se 49.000 krime të luftës prej nisjes së konfliktit.

Ai ka bërë thirrje për krijimin e një “tribunali ndërkombëtar ad-hoc”, të mbështetur nga “bota e civilizuar ” që kundërshton luftën, në mënyrë që Rusia të mbahet përgjegjëse.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt.

Presidenti rus, Vladimir Putin, e konsideron luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.