Një ditë pas rasteve të helmimit nga uji të banorëve në fshatin Gjoricë të Bulqizës, ujësjellësi ka ndërprerë furnizimin me ujë në fshat.
Një ditë më parë (3 qershor 2023), 30 banorë u paraqitën në qendrën shëndetësore me simptoma helmimi.
Shkak i helmimit dyshohet të jetë uji i ndotur. Gjithashtu sot janë raportuar raste të reja të helmimit. Tetë persona janë paraqitur në spital me simptoma helmimi.
Nga analiza paraprake që është bërë, uji ka dalë i kontaminuar dhe për këtë arsye është marrë edhe masa për ndërprerjen e furnizimit me ujë deri në daljen e përgjigjes së analizave laboratorike.
Në lidhje me incidentin, Policia ka ngritur menjëherë grupin hetimor dhe në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të AKU-së, e nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon intensivisht punën për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Policia sqaron se është vënë në lëvizje vetëm tani pasi nuk ishte njoftuar nga banorët apo personeli i qendrës shëndetësore për ngjarjen.
“Sqarojmë se as gjatë ditës së djeshme dhe as ditën e sotme, në Komisariatin e Policisë Bulqizë nuk ka ardhur asnjë njoftim, nga banorët apo personeli i qendrës shëndetësore”- thuhet në njoftimin e policisë./albeu.com/