Udhëtarët: 50 ditë rreth Shqipërisë

Kjo verë do të jetë e nxehtë për gazetarët Loneta Progni dhe Reinaldo Salianji të Euronews Albania, të cilët do të lënë njëra studion dhe tjetri raportimet nga terreni, pët të nisur një maratonë udhëtimesh në të gjithë Shqipërinë e për të zbuluar disa nga destinacionet më të bukura, kulinarinë, historitë njerëzore dhe thesaret e paçmuara të këtij vendi të vogël me surpriza të mëdha.

“Udhëtarët” quhet emisioni më i ri që starton në Euronews Albania e do të na shoqërojë çdo ditë, për 50 ditë, nga 14 qershori në 31 korrik. Loneta dhe Renato do të kthehen në udhërrëfyesit e realitetit shqiptar në çdo qark të Shqipërisë, jetës së përditshme në fshat e qytet, me gëzimet e shqetësimet dhe festat e çdo vendi. Ata do të bujtin në mikpritjen e zonave të ndryshme në çdo cep të Shqipërisë e do të na përcjellin çdo ditë ditarin e udhëtimeve, duke na bërë shoqëruesit virtualë të këtij turi emocionues.

Përkrah realitetit, këta dy udhëtarë do të zbulojnë vise ku ia vlen të shkoni, qoftë për një vizitë, “thesaret” e fshehura, zonat e turizmit, aktivitetet argëtuese, e kulinarinë. E gjitha e parë dhe e ndjekur nga sytë e ekipit të xhirimit. Udhëtarët do të ulen e bisedojnë me banorë të zonave, për të zbuluar më shumë rreth tyre në dimesione të ndryshme, për t’u njohur me shqiptarët në një formë ndryshe dhe për të sjellë në ekran personazhe sa të thjeshtë, aq edhe frymëzues.

Jo vetëm njerëzit, por edhe kalldrëmet do të flasin në këtë maratonë të re, një përvoje ndryshe e turizmit lokal, e cila do të shërbejë veçanërisht për të gjithë ata që kanë mundësinë e artë për të eksploruar më në fund vendlindjen në çdo cep, për shkak të kufizimeve në udhëtime, të diktuara nga pandemia.

Dy gazetarët do t’i shohim jo vetëm ndryshe nga sa i kemi parë deri më sot, por edhe brenda kësaj serie reportazhesh, do t’i shikojmë ndryshe në mëngjes e ndryshe në mbrëmje. Do t’i shikojmë duke vozitur në ujë, por edhe duke festuar në mbrëmjet më in me muzikë live e shotsa. Do t’i shikojmë duke shijuar një perëndim dielli në paqe totale, që siç thotë vet Loneta “një 5 minutësh i tillë është gjithçka i duhet ndonjëherë”, apo e kundërta, duke u angazhuar në aventura energjike e të çmendura. Do t’i shikojmë duke vozitur, por edhe duke bërë ngjitje.

Nga uji në tokë, nga deti në mal, nga natyra në klube nate, nga fshati i egër në resorte luksi, nga rehatia e studios në aventurat e çmendura në terren, nga agimi në perëndim të diellit, nga meditimi te bisedat me vendasit… një udhëtim ku asnjë shteg nuk i ngjan tjetrit!


Shtuar 14.06.2021 17:05