Udhëheqësit e Iranit po bëjnë një betejë që e kanë të humbur

Nga Ali Ansari “The Spectator

Sundimtarët e Iranit po qëndrojnë të vendosur në qasjen e tyre autoritare. Udhëheqësi Suprem i vendit Ayatollah Khomeini, ka shprehur formalisht dhimbjen e tij për vrasjen e Mahsa Amini – gruas së re që vdiq muajin e kaluar në burg, pasi u arrestua nga policia e moralit – ndërsa fajësoi drejtpërdrejt “agjitatorët” e huaj për protestat që e pasuan këtë ngjarje të rëndë.

Khomeini ka deklaruar se protestuesit nuk janë “iranianë të vërtetë”, një deklaratë që i bën jehonë “lotëve të tij prej krokodili” në vitin 2009, përpara se të niste një tjetër shtypje e përgjakshme e protestave popullore.

Qindra njerëz vdiqën gjatë atyre demonstratave pasuese, në vitet 2017 dhe 2019, teksa forcat e sigurisë shtetërore u kundërpërgjigjën në mënyrë brutale ndaj iranianëve të zakonshëm që kishin dalë në rrugë. Gjatë javëve të ardhshme, duket shumë e mundshme të të ndodhë diçka e ngjashme po aq e tmerrshme.

Por nëse ky reagim funksionon në favor të regjimit për një periudhë afatshkurtër, kjo është një qasje që e humb gradualisht forcën e saj. Regjimi mund ta mbajë veten në këmbë vetëm nëpërmjet sjelljeve të tij të përsëritura arbitrare të dhunshme.

Por në vend të zbutjes e shoqërisë, kjo dhunë i ka bërë iranianët edhe më rebelë. Thënë thjesht: regjimi po ngatërron pushtetin me autoritetin. Udhëheqja iraniane ngushëllohet disi nga fakti se protestat duket sikur janë të pakoordinuara dhe pa udhëheqës.

Ata marrin si pikë referimi një kryengritje të suksesshme, revolucionin e vitit 1979, kur Ajatollah Khomeini ishte një udhëheqës i qartë i lëvizjes. Deri më tani nga kjo lëvizje nuk ka dalë një personazh i ngjashëm. Por do të ishte mirë që drejtuesit e regjimit të mos bëhen të vetëkënaqur.

Sepse shpeshherë lëvizjet e protestës në Iran kanë marrë formë dhe koherencë teksa marrin vrull, dhe udhëheqësit dalin rrugës. Një model më i mirë për atë që po ndodh tani në rrugët e Teheranit dhe qyteteve të tjera, është lëvizja që çoi në Revolucionin Kushtetues të vitit 1906.

Ajo ishte një protestë sociale dhe politike, e nxitur nga idetë që çuan në një ndryshim rrënjësor, duke përfshirë krijimin e një parlamenti. Sot protestuesit kanë një avantazh kryesor ndaj regjimit: një bollëk idesh të reja politike mbi shoqërinë civile, demokracinë dhe natyrën e ndryshimit që i nevojitet Iranit.

Mediat sociale, po përdoren me shumë efektivitet nga protestuesit në artikulimin e këtyre ideve. Interneti – ose të paktën, qasja me ndërprerje në të – ka ofruar një mjet për të postuar video virale që i kanë inkurajuar të tjerët të dalin në rrugë. Këto postime janë parë në mbarë botën, duke sjellë një vëmendje të gjerë mediatike në Perëndim.

Është e vërtetë që regjimi iranian nuk është ende i kërcënuar nga këto protesta. Por gjërat mund të ndryshojnë shumë shpejt. Rreziku më i madh për regjimin, është frika se forcat e sigurisë mund të fillojnë të refuzojnë urdhrat dhe të dezertojnë, ose nëse elitat kthehen kundër njëra-tjetrës apo grevat fillojnë të paralizojnë vendin.

Për këtë të fundit ka disa shenja paraprake, por ende pak tregues se policia ka bërë diçka tjetër përveç zbatimit të urdhrave të udhëheqjes. Natyrisht, kjo nuk do të thotë se tek mullahët nuk ekziston ankthi gjithnjë e në rritje. Një analizë e shkurtër e medias në vend, tregon se regjimi iranian është nervoz.

Përmasat e zemërimit popullor në Iran janë të tilla, sa që është e pamundur të shpërfillet nga liderët e Iranit. Tek e fundit, për autoritetet duhet të jetë e turpshme të shohin nxënëse që djegin shamitë e kokës dhe jo flamurin amerikan. Ndërkohë, pushtetarët e kanë të vështirë të mobilizojnë turmën tradicionale pro-regjimit, që del shpesh në rrugë kur mblidhen protestuesit.

Frika nga e panjohura, së bashku me frikën nga ndëshkimi, janë dy nxitësit kryesorë të strategjisë së regjimit. Kjo përforcohet nga një bindje ideologjike e fokusuar direkt tek kulti i Udhëheqësit Suprem, Ali Khomeini. Shahu besonte në Zot, thoshin nën zë iranianët me një farë ironie, prandaj kishte frikë nga pasojat e veprimeve të tij.

Ndërkohë udhëheqësit e sotëm nuk besojnë në asgjë tjetër veç mbijetesës së tyre. Kjo i bën ata një armik të rrezikshëm për ata që kërkojnë ndryshim: udhëheqja e vendit do të marrë të gjitha masat për të mbrojtur veten, sado dëmtuese të jetë kjo në planin afatgjatë.

Për shkak të paaftësisë së udhëheqjes së tij, Irani ka qenë prej kohësh në prag të trazirave revolucionare. Fakti që ky regjimi nuk është rrëzuar është pasojë e një ekuilibri delikat të frikës: frika nga e panjohura, frika se gjërat mund të përkeqësohen dhe frika nga ndëshkimi. Por ky ekuilibër nuk është më i qëndrueshëm. Herët a vonë “diga” do të shpërthejë. Siç e tha dikush dikur ndryshimi ndodh gradualisht, pastaj vjen papritur dhe përnjëherë. Udhëheqja e Iranit ka treguar rrallëherë dhembshuri për popullin e thjeshtë. Kur të vijë koha, mund të presë pak dhembshuri nga iranianët.


Shtuar 8.10.2022 19:09