U vra në krye të detyrës, Meta i akordon “Dekoratën e Artë të Shqiponjës”, Saimir Hoxhës

Presidenti Ilir Meta i ka akurduar Dekoratën e Artë të Shqiponjës, oficerit të vrarë Saimir Hoxha, pas shpalljes Dëshmor i Atdheut.

“Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta i akordoi sot Dëshmorit të Atdheut, Saimir Hoxha (pas vdekjes) “Dekoratën e Artë të Shqiponjës”, me motivacionin:

“Për kontributin e dhënë në shërbim të Policisë së Shtetit, si dhe në vlerësim të trimërisë së treguar gjatë kryerjes së detyrës, duke mos kursyer as jetën e tij në luftën kundër krimit të organizuar për të garantuar rendin dhe sigurinë publike”, thuhet në njoftim.

Kujtojmë se, Saimir Hoxha u vra dje gjatë një operacioni anti-drogë, nga 21-vjeçari Aldi Rama. Ky i fundit, disa orë pas ngjarjes qëlloi veten në kokë me armë dhe vdiq mëgjesin e sotëm.

Meta ka marrë pjesë edhe në homazhet e Hoxhës. Ai i shprehu ngushëllime familes së të ndjerit dhe tha se, është momenti për një reflektim për një luftë frontale kundër krimit të organizuar.

“Është një moment i dhimbshëm që ti japim sot lamtumirë ne fundit një oficeri hero të Policisë së Shtetit, që nuk e meritonte të ndahej nga jeta, nga familja. Është një moment reflektimi për një luftë frontale kundër krimit të organizuar, por edhe dekurajimin e krimit ordiner, sikurse është prioritet lufta kundër trafikut të drogës, atyre që jo vetëm përfitojnë prej saj por edhe për të shpëtuar sa më shumë të rinj e fëmijë që për fat të keq bien pre e këtij fenomeni shkatërrimtar që janë përgjegjës për akte të tilla që trondisin një shoqëri të tillë. Është momenti për të mbështetur më shumë policinë në këtë luftë”, tha Meta./albeu.com

 


Shtuar 29.09.2021 12:52