U trajtuan nga Antimafia Italiane, “FBI shqiptare” nis punën ditën e hënë

Hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit do të nisin zyrtarisht punën ditën e hënë.

Janë 28 hetues që i kanë kaluar fazat e testimit dhe pritet të nisin nga puna.

Hetuesit u trajnuan nga Drejtoria e Antimafias italiane në Romë për luftën ndaj krimit dhe korrupsionit. BKH është cilësuar edhe si FBI-ja shqiptare.

Garuesit kaluan testin fizik, esesë, arsyetimin logjik, intervistën dhe një verifikim të figurës dhe aftësive profesionale.

Trajnimi nga agjencitë zyrtare italiane i dhanë mundësinë hetuesve shqiptarë të vlerësojnë nga afër përvojën italiane kundër organizatave kriminale, pastrimit të parave, korrupsionit të zyrtarëve të lartë.

Verifikimi i kushteve të sigurisë u zhvillua nën vëzhgimin dhe monitorimin e Komisionit të Pavarur të Rishikimit, të caktuar nga misionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian në Shqipëri.

Pjesëmarrësit patën mundësinë të vizitojnë disa nga ambientet e Departamentit të DIA-s siç janë shërbimi i Policisë Shkencore, Qendra Kërkimore për Analizën e Informacionit Multimedia (CRAIM) dhe Policia Postale dhe Komunikimit, si dhe pjesën teorike të trajnimit për disa tema me interes si: parandalimi i infiltrimit mafioz në prokurimin publik, masat parandaluese të pastrimit të pasurive dhe parave, krimi kibernetik etj.

Ligjëratat u mbajtën nga zyrtarë të lartë të DIA nga njësi dhe departamente të ndryshme, si dhe ushtrime praktike u treguan nga Shërbimi Bashkëpunimit Ndërkombëtar Policor mbi tema si njësia e informimit të pasagjerëve dhe ajo krimit kibernetik.

Aktualisht, BKH-ja ka 28 hetues, nga 60 që duhet të jenë në total.

MESAZHI I ZV.AMBASADORIT TE SHBA NE TIRANE

“Byroja Kombëtare e Hetimit do t’i tregojë Shqipërisë se askush nuk është mbi ligjin dhe se ai zbatohet njësoj për të gjithë”, tha dje zëvendësambasadori amerikan në Tiranë, Demian Smith.

Në daljen e tij të parë publike pas marrjes së detyrës, Smith mori pjesë në ceremoninë e diplomimit të hetuesve të rinj të Byrosë Kombëtare të Hetimit.

“Ditët e pandëshkueshmërisë së të pasurve dhe të fuqishmëve kanë mbaruar”, tha Smith.

“Shqipëria ka ngritur tashmë që të dy institucionet që përbëjnë SPAK-un – Prokurorinë e Posaçme dhe BKH-në. Prokuroria e Posaçme ka qenë duke punuar pa ju, por tashmë ju do të bashkoni forcat kundër korrupsionit dhe krimit. Vetëm me BKH-në, me të gjithë ju, SPAK-u do të jetë një sukses i plotë.

Qëndroni pjesë e luftës. Partnerët tuaj rreth e rrotull botës mund të hedhin dritë mbi aktorët e këqij, por do të jetë SPAK-u që do të bëjë punën e vështirë: hetimin dhe ndjekjen penale, duke punuar dorë për dorë për të përmbysur korrupsionin dhe krimin e organizuar. Ndërsa dilni nga ky diplomim, ju do të jeni pjesë e një kapitulli të ri të institucioneve të pavarura, të besuara, efikase dhe të besueshme të gjyqësorit. I sotmi është një hap i rëndësishëm përpara në luftën e Shqipërisë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

BKH-ja do t’i tregojë Shqipërisë se askush nuk është mbi ligjin dhe se ai zbatohet njësoj për të gjithë. Ditët e pandëshkueshmërisë së të pasurve dhe të fuqishmëve kanë mbaruar. Këtë e kërkon populli shqiptar.

Si gjithmonë, Shtetet e Bashkuara qëndrojnë të gatshme për t’ju mbështetur. Qoftë për ta zhvilluar BKH-në si institucion; qoftë për të rritur aftësitë profesionale; apo për t’i ofruar ndihmë BKH-së”, u shpreh gjatë ceremonisë zëvendësambasadori./panorama


Shtuar 7.08.2021 14:29