Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar pasi vendosi të mos dalë me kandidat në zgjedhjet e pjesshme në Kukës.
Basha theksoi se kjo është hera e fundit që PD nuk ka kandidat në zgjedhje.
“Respektuam vullnetin e tyre për të mos nxjerrë kandidat, është përgjegjësia jonë që u morëm me luftën ndaj njëri-tjetrit dhe jo me ringritjen e partisë.
Hera e fundit që PD nuk ka kandidat në zgjedhje, duhet të jemi në terren për të ringritur partinë dhe për të qenë në përballje elektorale”, tha Basha në mbledhjen e Këshillit Kombëtar.
Gjithshtu në fjalën e tij Basha u shpreh se numërimi mbrapsht ka nisur për të gjithë ne dhe “se kemi marrë përsipër, barrën e rëndë për të ndërtuar një aksion politik ku ndërthuret nevoja jetike për t’u ofruar shqiptarëve një opozitë ballore, jo selektive me të keqen, dhe një Parti Demokratike bashkëkohore, konkurruese dhe alternativë qeverisëse”.
“Pas Kuvendit Kombëtar të javës së shkuar, hedhim sot një tjetër hap të rëndësishëm për Partinë Demokratike, formatimi i forumeve statutore të partisë. Ky hap i jep hov të ri aksionit tonë politik, që për shumë gjatë u largua nga detyra jonë parësore, ajo e të qenit në shërbim të demokratëve, të qytetarëve, të Shqipërisë.
Ne e dimë që në asnjë moment nuk kemi hequr dorë nga përgjegjësia që na mban në politikë, madje kemi sakrifikuar shumë të gjithë bashkë për të mbrojtur vlerat që na bashkojnë në këtë familje të madhe.
Por kur zhurma e përplasjes bëhet më e fortë se zëri i arsyes, të gjithë humbasim.
Ne humbëm kohë të çmuar duke u marrë me probleme që nuk kanë lidhje me shqetësimet e njerëzve por me shqetësimet dhe problemet personale të pak politikanëve, që për të mbuluar të keqen e tyre, janë gati të shkatërrojnë të mirën e përbashkët”, tha Basha.
Duke iu drejtuar anëtarëve të Këshillit, kreu i PD theksoi se delegatët e 2 shtatorit me votën e tyre zgjodhën një tjetër model politik që ndahet me hipokrizinë, me inkoherencën, me standardet e dyfishta, që e kanë neveritur qytetarin nga politika e fasadës, e intrigës, arrogancës, hiles dhe e përfitimeve personale.
“Demokratët dhe mbarë shqiptarët presin dhe meritojnë një model krejt ndryshe, të politikës së vëmendshme ndaj njerëzve dhe jo të obsesuar me fatin e vet personal, të një politike të ndjeshme dhe të dhembshur, një politikë e njerëzve dhe për njerëzit, që i dëgjon ata dhe u jep zgjidhje problemeve të tyre.
Pas Kuvendit Kombëtar, numërimi mbrapsht ka nisur për të gjithë ne.
Kemi marrë përsipër, sepse ua kemi kërkuar demokratëve, barrën e rëndë për të ndërtuar një aksion politik ku ndërthuret nevoja jetike për t’u ofruar shqiptarëve një opozitë ballore, jo selektive me të keqen, dhe një Parti Demokratike bashkëkohore, konkurruese dhe alternativë qeverisëse.
Kuvendi Kombëtar i 2 shtatorit është një mesazh i fortë për të gjithë. Të qartë për përgjegjësinë që kanë mbi supe për ta nxjerrë vendin nga kriza shumë dimensionale ku ndodhet, demokratët vendosën jo vetëm të shohin drejt të ardhmes, por të nisin punën për ta ndërtuar atë”, tha Basha.