Ditën e sotme u shpall në kërkim nga Policia e Lushnjës Dorian Shurdhi, 39-vjeç,
Ai akuzohet për vrasjen e mbetur në tentativë ndaj 44-vjeçarit Kujtim Meta më 20 Prill 2022.
Pesë muaj pas kësaj ngjarje, Shurdhi u identifikua nga policia si autor i dyshuar i ngjarjes në Lushnjë dhe është shpallur në kërkim për vrasje me paramendim të mbetur në tentativë dhe armëmbajtje pa leje.
Por sipas Tv Klan, i dyshuari Dorian Shurdhi ka humbur jetën.
Sipas burimeve, 39-vjeçari Shurdhi ishte larguar drejt Belgjikës pasi kishte qëlluar me armë Kujtim Metën.
Por 2 javë më parë, në ditët e para të muajit Shtator 2022, Dorian Shurdhi ishte rrahur nga persona të tjerë në Belgjikë dhe gjatë gjithë këtyre ditëve ka qenë në koma. Por mbrëmjen e së martës (27 Shtator 2022) 39-vjeçari Shurdhi ka ndërruar jetë.
Dorian Shurdhi ishte person me precedent penal. Ai kishte dalë nga burgu në fillim të vitit 2022 dhe pak kohë më vonë ai qëlloi me armë Kujtim Metën më 20 Prill 2022 në një lokal në Lushnje, duke e lënë të plagosur. Arsyet e këtij krimi mbeten ende të paqarta.