Kryeministri britanik, Rishi Sunak ka shkarkuar sekretaren për Punët e Brendshme, Suella Braverman, nga posti.
Vendimi erdhi pas kritikave që Braverman bëri për protestat pro-palestineze, për të cilat tha se janë shqetësuese.
Kush është Braverman që i cilësoi emigrantët shqiptarë si “pushtues”
Pak kohë më parë Braverman u kthye në protagoniste lidhur me çështjen e migrantëve shqiptarë të cilët kalonin La Manshin, pikërisht për komentet raciste.
Barverman, vajza e dy emigrantëve nga Kenya dhe ishujt Mauritius, u shpalli “luftë” emigrantëve shqiptarë, të cilët kalojnë në kërkim të një jetese më të mirë përtej brigjeve kontinentale.
Rreth një vit më parë, Suella Braverman tha se vendi përballet me një “pushtim” nga emigrantët shqiptarë që përshkojnë me varka kanalin e La Manshit, si dhe si pjesëtar të grupeve kriminale.
Në përgjigje të një komenti nga deputeti konservator Craig Mackinlay, i cili tha se “asnjë shqiptar i vetëm nuk duhet të pranohet si refugjat”, Braverman tha se ai ka të drejtë.
“Shqipëria nuk është një vend i shkatërruar nga lufta dhe është shumë e vështirë të argumentohet se kërkesat për azil janë legjitime”, tha ajo.
Në deklaratat e saj, Suella Braverman tha se shqiptarët gënjenin për arsyen përse largoheshin nga vendi dhe shumë prej tyre i etiketoi si persona me rekorde kriminale.
Ndaj kësaj deklarate është përgjigjur edhe kryeministri, Edi Rama i cili i konsideroi deklaratat e saj si “britmë në çmendinë”, duke shtuar se ishte përgjegjësi e Britanisë që të bashkëpunonte për të menaxhuar situatën me emigrantët e paligjshëm shqiptarë që mbërrijnë me gomone në Mbretërinë e Bashkuar.
Shkarkimin e Suella Braverman e kërkuan edhe shumë emigrantë shqiptarë që jetonin në Britaninë e Madhe pikërisht për gjuhën e saj raciste, pasi zhvilluan një protestë në Londër./albeu.com