U sanksionua nga SHBA, socialistët ende pa asnjë qëndrim për dy deputetët familjarë të mbështetur nga Aqif Rakipi

Socialistët thonë se po presin që grupi parlamentar të marrë një vendim politik për qëndrimin që ata duhet të mbajnë në lidhje me deputetët e lidhur me Aqif Rakipin, i cili u sanksionua si anëtar i krimit të organiziar nga Departamenti i Thesarit i SHBA.

Grupi parlamentar socialist pritet që të marrë një vendim politik në lidhje me të paktën dy mandate deputetësh të fituara nga ndikimi i drejtpërdrejtë i Aqif Rakipit në fushatë, i cili përshkruhet nga SHBA si një ish-deputet “famëkeq” me ndikim të dëmshëm dhe destabilizues në proceset politike në Shqipëri.

Djali i tij, Ornaldo Rakipi dhe një familjar i afërt, Saimir Hasalla, u zgjodhën deputetë në listat e PS-së në zgjedhjet e fundit me mbështjetjen e Rakipit.

Kolegët e tyre të PS-së hezitojnë ta komentojnë vendimin e Zyrës së Departamentit të Thesarit të Shteteve të Bashkuara për Kontrollin e Pasurive të Huaja (OFAC) dhe të pozicionohen hapur nëse dy deputetët e listës “Rakipi” duhet të vijojnë mandatin apo duhet të distancohen nga PS. Ata qartësisht presin një orientim politik nga drejtuesit e partisë për këtë qëndrim.

“Secili nga ne mund të ketë një mendim të ndryshëm, por do jetë grupi parlamentar që do të mbaj një qëndrim politik,” i tha Klotilda Bushka BIRN-it të martën.

Të njëjtin qëndrim mbajti dhe deputeti Toni Gogu, i cili shpjegoi se do të diskutohet në mbledhjen e grupit kjo çështje. Gogu pretendoi se dy deputetët në fjalë janë mbështetur nga populli, ndërsa vendimi amerikan nuk lidhet me ta.

“Mesa di unë vendimi nuk prek familjarët e Rakipit,” tha ai, duke shtuar se “Ornaldon e ka mbështetur populli”.

Edhe deputeti Alban Xhelili e cilësoi të panevojshëm dhënien e një qëndrimi personal për rastin duke shpresuar, ashtu si kolegët, në një qëndrim politik të grupit për këtë gjë. Por dhe Xhelili shton se “vendimi nuk prek familjarët e Rakipit”, duke shprehur habi për pyetjen.

Deputeti i Elbasanit, Saimir Hasalla, famijar i Rakipit, nuk shfaqi ndonjë shqetësim për mandatin e tij.

“Nuk kam një qëndrim, sepse nuk jam njohur akoma me vendimin,” tha ai për BIRN-in. Hasalla nuk e mohon që Aqif Rakipi ka qënë mbështetësi i tij kryesor në fushatë.

Ndërsa Orlando Rakipi u tha mediave të hënën se do ishte i gatshëm ta linte mandantin nëse do i kërkohej nga partia. Kryetari i Grupit Parlamentar Socialist, Taulant Balla, i cili ndodhet në një vizitë në Berlin së bashku me kryeministrin Edi Rama, nuk ishte i arritshëm për koment të martën.

PS ka zgjedhur heshtjen kur sanksionet amerikane kanë prekur një prej tyre, ndërkohë që e kanë përshëndetur vendimin “non-grata” në kampin tjetër politik, në rastin e Berishës.

Rakipi e humbi mandatin e deputetit në vitin 2018, si pasojë e ligjit të dekriminalizimit, pasi nuk kishte deklaruar një procedim në Itali për veprën penale të marrjes së mallrave të vjedhur. Por në zgjedhjet e fundit parlamentare të zhvilluara më 25 prill 2021, djali i tij, Ornaldo Rakipi, pa përvojë në politikë, u zgjodh me një numër surprizë votash deputet i PS-së në Tiranë.

Në njoftimin e shpërndarë nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, theksohet se Rakipi ka ndikim të dëmshëm dhe destabilizues në proceset politike në Shqipëri dhe dhe shtohet se ish-deputeti ka ushtruar ndikim të paligjshëm për të emëruar zyrtarë publikë në Elbasan dhe në Tiranë.

“Rakipi ka qenë prej kohësh i përfshirë në krimin e organizuar,” përfundoi njoftimi./BIRN


Shtuar 12.04.2022 22:37