Pas sherrit donte ta hidhte të atin në pus, ngjarje makabre në Korçë, babai masakron djalin me çekiç

Një ngjarje e rëndë u raportua mbrëmjen e djeshme në fshatin Zvezdë të Korçës.

Hamdi Bylykbashi, 50 vjeç humbi jetën rrugës për në spital. Fillimisht nga familjarët u raportua se ai ishte rrëzuar në gjendje të dehur në banesën e tij dhe kishte marrë dëmtime në kokë.

Por policia ka zabrdhur ngjarjen dhe ka vënë në pranga si autor të dyshuar, babain e 50-vjeçarit, Shefki Bylykbashi.

Nga hetimet e thelluara dhe provat e siguruara rezultoi se pasditen e djeshme, 50-vjeçari duke qenë në gjendje të dehur, është konfliktuar në banesë me babain, 77 vjeç, të cilin ka dashur t’a hedhë në pusin e ujit në oborr.

Më pas 77-vjeçari, e ka goditur disa herë në kokë me mjete të forta (çekiç që përdoret për të thyer gurë), ku si pasojë e dëmtimit të rëndë, 50-vjeçari ka humbur jetën gjatë transportimit për në spitalin e Korçës.

Në vijim të veprimeve procedurale, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Shefki Bylykbashi, 77 vjeç, për veprën penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë, për veprime të mëtejshme./Albeu.com/