U përplas me Jet Ski në plazhin e Llamanit, 16-vjeçari te Trauma në gjendje të rëndë

16-vjeçari i cili u përplas me Jet ski në plazhin e Llamanit ditën e djeshme ka rënë në vdekje klinike dhe është në reanimacion.

I mituri me inicialet K.XH., u soll me helikopter në Tiranë pasi mori plagë të rënda. Sakaq, shoku i tij 17-vjeçar u plagos lehtë.

Si ndodhi ngjarja

Fillimisht policia njoftoi se dy të mitur, 16 dhe 17 vjeç ishin plagosur pasi ishin hedhur nga një shkëmb në det.

Por disa orë më vonë u mësua se dy Jet Ski ishin përplasur me njëri-tjetrin në det të hapur.

Njëri prej Jet Ski-ve drejtohej nga 16-vjeçari K.Xh.

Sipas policisë, 16-vjeçari nga Tirana dhe shoku i tij, 17 vjeç po nga Tirana, së bashku me dy shokë të tjerë janë futur në det me dy mjete lundruese Jet Ski.

Gjatë manovrave, dyshohet se aksidentalisht dy mjetet lundruese janë përplasur me njëra – tjetrën dhe për pasojë u dëmtua rëndë K.Xh që ishte drejtuesi i njërit mjet Jet Ski dhe pasagjeri, shtetasi D. K.

Policia ka nisur procedimin penal për shtetasin R. P., 56 vjeç, pronari i mjeteve lundruese Jet Ski, për veprën penale “Shkelja e rregullave teknike në punë”.

Gjithashtu, operatorit turistik me administrator shtetasin R. P., nga ana e Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Vlorë i janë bllokuar menjëherë të gjitha mjetet lundruese Jet Ski.

Për arsye sigurie i është bërë pezullimi i aktivitetit me mjetet lundruese./Albeu.com/ 


Shtuar 16.08.2023 07:25