U përjashtua pa motiv për të qënë pjesë e SPAK/ Ndini Tavani kërkon pezullimin e mbledhjes së KLP-së, më jepni arsyen e largimin, pastaj votoni

Prokurori i Tiranës Ndini Tavani, që u përjashtua nga komisioni i SPAK, për të qënë pjesë e strukturës së posaçme, i është drejtuar sot me një kërkesë Këshillit të Lartë të Prokurorisë, duke kërkuar pezullimin e mbledhjes së sotme me qëllim dhënien e arsyeve që çuan në skualifikimin e tij, megjithëse ai u shpall fitues.

Problemi për të cilën prokurori Ndini Tavani, ngre shqetësimin që lidhet me vendimin e Komisionit të ngritur pranë SPAK, duke e nxjera atë nga gara dhe kualifikoi një tjetër prokuror, Bledar Maksutin.

Përmes një letre të dërguar Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Ndini Tavani, shprehet se ka kërkuar pezullimin e mbledhjes së sotme, ku do emërohen në SPAK Anita Jella dhe Bledar Maksuti, pasi nuk di ende arsyen pse nuk është zgjedhur nga SPAK, pavarësisht se ishte kandidati i tretë fitues.

Në letrën e tij drejtuar anëtarëve të KLP-së Tavani shprehet se:

“…sot, në datë 30 korrik 2024, disa media online publikuan lajmin se, unë, si kandidat i renditur i treti në garën për tri vende vakante në Prokurorinë e Posaçme, jam skualifikuar dhe se kandidati tjetër i renditur pas meje, është propozuar të emërohet si prokuror i kësaj prokurorie.

Në një farë mënyre, Ju më kthyet përgjigje për tri kërkesat e paraqitura më herët nga unë, në rrugë zyrtare, për tu njohur me ecurinë e këtij procesi, tashmë i tejzgjatur, në kapërcim të limiteve të caktuara me ligj (120 ditë).

Nga ana tjetër, kundrejt meje, si subjekt drejtpërdrejtë i interesuar, dëmi është më i madh se thjesht mos informim, sepse ai konsiston në cënimin flagrant të të drejtave themelore, të mbrojtura e të garantuara nga shteti i së drejtës.

Në padijeni të plotë se si vijoi procesi, pas mbledhjes së dhjetorit të KLP-së, vlerësimit dhe renditjes së kandidatëve, mbetet të supozoj se vlerësimi im i figurës nga Komisioni i Posaçëm nuk ka qenë pozitiv, apo thënë ndryshe ka qenë negativ.

Ju, që keni aktet e këtij procesi e kuptoni se si kandidat as jam njoftuar përgjatë procesit të vlerësimit të figurës dhe as jam pyetur mbi ndonjë gjetje, aq më pak as më është dhënë mundësia të paraqes qëndrimin tim apo provat eventuale, që mund t’i shërbenin Komisionit të nderuar…”,-shprehet në letër prokurori Ndini Tavani.