U përgjua telefonata me kunatin që mbillte kanabis, si ra në “grackën” e policisë vëllai i deputetit socialist, pamjet nga sera me drogë

Policia ka publikuar pamjet e operacionit antidrogë që u zhvillua në Lezhë.

Në kuadër të këtij operacioni në pranga ra vëllai i deputetit të Partisë Socialiste Eduard Ndreca, Armando Ndreca dhe kunati i tij që sipas policisë është kapur në flagrancë.

Armando Ndreca , punonjës i Drejtorisë Rajonale të Hetimit Tatimor në Shkodër, njëherësh vëllai i deputetit socialsit të qarkut të Lezhës, Eduard Ndreca është ndaluar nga policia me dyshimin se është përfshirë në kultivimin e kanabisit.

32-vjecari Ndreca, është ndaluar mbrëmjen e së mërkurës në qytetin e Lezhës dhe ndodhet në ambientet e komisariatit.

Ndalimi i vëllait të deputetit socialist erdhi pas një hetimi disamujor të Policisë së Lezhës për kultivimin e kanabisit në pyjet e Kashnjetit.

Policia ndërhyri të mërkurën dhe arrestoi në flagrancë kunatin e Armando Ndreca, Armel Nikdukaj, 27 vjeç dhe shoku i tij Elvis Shpellzai 28 vjeç.

Si Nikdukaj ashtu dhe Shpellzai u kapën në stanin që kishin përshtatur në shtëpi bari.

Këto janë pamjet që publikon policia nga operacioni “Imazhi 1” ku shihen bimët narkotike dhe llampat që shërbenin për rritjen e tyre.

Gjatë operacionit u sekuestruan 2973 bimë narkotike, disa prej tyre fidanë të gatshëm për t’u kultivuar në tokë, një sasi lënde narkotike cannabis sativa, 50 llamba, pajisje ventilimi dhe tre celularë. Ndërsa gjatë kontrollit në banesat e Nikdukajt dhe Shpellazit në qytetin e Koplikut u sekuestruan 3 armë të ftohta dhe një maskë.

Burime nga grupi hetimor bënë të ditur se oficerët e antidrogës kanë mbajtur në vëzhgim prej disa muajsh dy kultivuesit e kanabisit. Po kështu telefonat e tyre kanë qenë në përgjim, ku Armel Nikdukaj ka folur me kunatin e tij Armando Ndreca.

Nuk dihet ende roli i tij në këtë veprimtari kriminale, pasi policia nuk ka komunikuar masë arrestin për Ndrecën, por e mban të shoqëruar në cilësinë e personit të dyshuar për veprimtari kriminale. Gjatë marrjes në pyetje vëllai i deputetit ka deklaruar se nuk ka lidhje me drogen./albeu.com


Shtuar 11.04.2024 14:28