U përfol se do të kandidojë për të marrë drejtimin e PD-së, vjen reagimi i parë nga Salianji

Ervin Salianji ka reaguar në lidhje me aludimet se ai do të marrë pjesë në garën e 23 majit për të marrë në dorë drejtimin e Partisë Demokratike.

Në një lidhje telefonike për A2CNN, Salianji theksoi se përderisa nuk ka rregulla loje apo lista të përcaktuara do të vijohet me rrëmbimin e partisë, duke lënë të nënkuptuar se Berisha po tenton të fitojë sërish udhëheqjen e partisë.

Ndërsa në lidhje me aludimet nëse ai do të kandidojë për të marrë drejtimin e PD-së, Salianji tha se deri tani nuk ka akoma një përgjigje konkrete, duke lënë të pazbuluar kandidimin e tij.

Fjala e Salianjit: Kushdo që është në politikë dhe thotë që nuk kam ambicie nuk është i vërtetë, por kjo nuk është një fazë ku unë po diskutoj për ambicien time personale. Unë po diskutoj për rregullat që duhet të jenë në Partinë Demokratike dhe shqetësimi është ky: ndërkohë që ne flasim për rregulla loje, degët e Partisë Demokratike janë masakruar duke përjashtuar demokratë nga gara, duke përjashtuar demokratët nga e drejta e votimit dhe duke përzgjedhur vetëm anëtarësinë e cila i shkon sipas logjikës që mendon lidershipi i partisë, që ka në favor.

Dhe pavarësisht se nuk ka rregulla loje, nuk ka lista të përcaktuara, nuk ka fushatë për kandidatët që t’u lihet kohë për fushatën, nuk ka alternativa që propozohen, vazhdojnë me këtë logjikën e uzurpimit të partisë.

Do të kem shumë shpejt një përgjigje, pasi të shoh një rregullore që përcakton garën, sepse për momentin nuk ka. Nuk ka lista dhe nuk ka një numër anëtarësh të saktë se sa votojnë. Nuk është e përcaktuar se si dhe sa kohë do kenë kandidatët e kështu me radhë. Pra nuk kam një përgjigje në këtë moment.


Shtuar 17.03.2026 21:16

Tags: ,