Këshilli i Lartë Gjyqësor ka pezulluar nga detyra gjyqtaren Arnisa Këlliçi me një votim unanim, pasi kjo e fundit u mor e pandehur nga Prokuroria e Tiranës ditën e sotme.
Prokuroria njoftoi se Këlliçi është marrë e pandehur për kallëzim të rremë dhe falsifikim dokumentesh lidhur me një kërcënim të drejtuar ndaj saj, por që rezultoi se ishte shkruar nga ajo vetë.
Në njoftimin e Prokurorisë bëhet me dije se gjyqtarja, e cila ushtron funksionin e saj pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka pretenduar se në zyrën e saj, ka konstatuar se i ka ardhur një letër me anë të postës, me tekst, “E dashur gjyqtare A….., keni dy fëmijë, D…… dhe R…….. Mendoni për ta se mund të rroni ju e jo ata dhe kjo është e rëndë. Me respekt!”.
Sipas prokurorisë letra kërcënuese është shkruar nga vetë gjyqtarja Këlliçi, rezultat i ardhur pas hetimeve paraprake dhe shqyrtimit të gjithë të dhënave.