U mbrojt nga Rama, elbasanlliu që lëvizte pa targa e xhama të zinj i dënuar për trafik kokaine

“Greca kishte për qëllim të përmbyste rrugët e Londrës dhe Britanisë së Madhe me një sasi të madhe kokainë…”

Zotëruesi i makinës tip “Benz ML” pa targa që u bë shkak për ngjarjen e ndodhur në Elbasan, Mehmet Greca rezulton të ketë probleme të rënda në shtetin anglez.

37 vjeçari sapo kishte dalë nga burgu i Anglisë pasi ishte burgosur që në vitin 2017 për trafikimin e lëndës kokainë e cila kapte vlerën e 5 milionë eurove.

Pas arrestimit , ndaj tij u mor vendimi për heqjen e lirisë së tij për 6 vite.

Sipas informacioneve të marra nga mediat britanike, pas prangosjes së tij, policia kishte ushtruar kontroll të imtësishëm në shtëpinë e tij, ku kishte gjetur edhe dy çanta të tjera me lëndë narkotike kokainë, një pajisje që shërbente për numërimin e parave dhe mbi 80 mijë paund cash.

“Greca kishte për qëllim të përmbyste rrugët e Londrës dhe Britanisë së Madhe me një sasi të madhe kokainë. Ky ishte konfiskim i rëndësishëm,”-tha Jonathan Payne nga Skuadra e Krimit në Londër.

Përveç dënimit me burg, 37-vjeçari u dënua edhe me një gjobë prej më shumë se 80,000 paundësh britanikë.

Kujtojmë që Mehmet Greca doli ditën e djeshme për të dhënë deklaratën e tij në lidhje me ngjarjen e ndodhur në Elbasan ku makina e tij pa targa u bllokua nga një grup prej 10 personash duke bërë që situata të përshkallëzonte dhe të kishte viktima.

Greca u mor në mbrojtje nga të gjithë zyrtarët socialistë përfshirë kryeministrin Rama, duke thënë se ishte i pafajshëm lidhur me ngjarjen dhe se ishte gjendur rastësisht në konfliktin që solli viktima dhe të plagosur.


Shtuar 23.04.2021 12:41