U lidh me një prift të famshëm në Shqipëri! Si “thesari i florinjtë” fundosi biznesmenin italian

Detaje të reja janë zbuluar nga “zhdukja” dhe inskenimi i vdekjes së biznesmenit italian, i cili u gjet shëndoshë e mirë në një ishull, Monte Cristo.

Gazeta italiane “La Nazione” shkruan se bisnesmeni 45-vjeçar ishte zhdukur  për shkak të problemeve financiare të cilat kanë lidhje me “monedha floriri”.

Sipas medias italiane, Pecorelli ka qëndruar për disa kohë në një komunitet të priftërinjve në Medugorje, qytet në Bosnje.

“Aty kishte shkuar falë ndihmës së një prifti katolik shumë të njohur në Shqipëri”, raporton “La Nazione”.

Bazuar në dëshminë përpara hetuesve italianë, tashmë është konfirmuar edhe një pistë që ka qarkulluar në mediat e vendit fqinj, se Davide Pecorelli është koleksionues.

E për të konfirmuar këtë, ai u ka thënë prokurorëve se po kërkonte “thesar monedhash”.

Pecorelli ka pranuar problemet ekonomike, dhe kjo ishte arsyeja kryesore që ai u zhduk duke inskenuar vdekjen e tij në Shqipëri. Kujtojmë se për herë të fundit ai ishte parë në Pukë në fillim të muajit Janar.

Biznesmeni pohoi se në Tetor kishte planifikuar që të kthehej në shtëpi, pavarësisht se u demaskua përpara kohe. Sipërmarrësi italian u zbulua pasi u detyrua të njoftonte autoritetet për shkak të defektit që i pësoi gomonia në det pranë ishullit Monte Cristo.

Ndërsa javën e kaluar, ai kishte përdorur kartën e bankës për të tërhequr para nga një bankomat në Romë.

Pas marrjes në pyetje, mbrëmë Pecorelli pranoi për gazetarët italianë se është i vetëdijshëm që edhe në Shqipëri ka kryer vepër penale, pasi i vendosi zjarrin makinës që kishte marrë me qira dhe brenda mjetit u gjetën mbetje kockore. Këto mbetje nuk janë identifikuar ende kujt i përkasin, por dyshohet se janë marrë nga një varr i vjetër në Pukë.  /albeu.com/

 

 

 


Shtuar 21.09.2021 12:07