U la në arrest shtëpie për shpërndarje kanabisi, 15-vjeçari nga Fieri vijon “biznesin” nga banesa! Arrestohet

FIER- Një 15-vjeçar, i cili ishte lënë në masën e sigurisë “arrest shtëpie” për shitje të lëndëvë narkotike, duket se “nuk ka vënë mend”.

Ai ka vijuar “biznesin e tij” i pashqetësur nga shtëpia.

Në kuadër të operacionit “Tempulli”, policia e ka vënë në pranga 15-vjeçarin, i cili iu shiste doza cannabisi 2 gjimnazistëve në banesën ku vuante masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar për të njëjtën veprimtari kriminale.

15-vjeçari, i proceduar penalisht 9 herë më parë, ishte arrestuar nga Policia, me datë 4 tetor, në kuadër të megaoperacionit “Tempulli”.

Gjithashtu ka nisur hetimi për dy 17-vjeçarët që u kapën në banesën e arrestuarit, duke blerë doza cannabisi.

“Gjatë kontrolleve në banesën e një 15-vjeçari, në lagjen “11-janari” (ku ky shtetas vuante masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, sepse ishte arrestuar nga Policia, me datë 4 tetor, në kuadër të megaoperacionit “Tempulli”), ky shtetas u kap në flagrancë duke iu shitur 2 gjimnazistëve 17-vjeçarë, doza të lëndës narkotike cannabis sativa”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Në vijim të veprimeve procedurale u arrestua 15-vjeçari, u proceduan në gjendje të lirë dy 17-vjeçarët, si dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, një sasi lënde narkotike cannabis sativa, e ndarë në doza të gatshme për shitje.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.


Shtuar 26.10.2023 11:58