Një 48-vjeçar ka rënë në prangat e policisë së Himarës, pasi dyshohet se po transportonte emigrantë të paligjshëm.
48-vjeçari dyshohet se u kishte premtuar “Europën” emigrantëve në këmbim të parave.
Sakaq, policia njofton se 48-vjeçari me inicialet A.Rr., po e drejtonte mjetin në gjendje të dehur ndërsa tentoi t’i shmangej kontrollit të autoriteteve, por u arrestua në kohë nga efektivët e policisë.
“Në zbatim të planit të masave për të parandaluar dhe goditur aktivitetin e paligjshëm të dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufijve dhe tranzitimin e tyre në territorin shqiptar, me destinacion vendet e BE-së, nga shërbimet e Policisë Kufitare në Dhërmi, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Vlorë, u arrestua në flagrancë shtetasi A. Rr., 48 vjeç, banues në Himarë. Shtetasi A. Rr, ka tentuar ti shmanget kontrollit të Policisë duke u larguar, por falë reagimit të menjëhershëm të shërbimeve të Policisë Kufirare në Dhërmi, është ndalur dhe vënë në pranga, në vendin e quajtur “Shën Vasil”, duke transportuar me automjet, të cilin e drejtonte në gjendje të dehur, 2 emigrantë të paligjshëm, të cilëve iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së, kundrejt pagesës. Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, njofton Policia./albeu.com/