E mekur nga të qarat, veshur me të zeza, Fatbardha Qose, nëna e 33-vjeçares Silvana Gushi, e cila humbi jetën në aksidentin tragjik në aksin Levan-Vlorë së bashku me familjen e saj, kërkon vetëm drejtësi.
Fatbardha rrëfeu telefonatën e fundit me të bijën, ndërsa i priste pas një viti, të ktheheshin për të kaluar pushimet.
“Ku ka ngushëllim për nënën, se i kanë ikur 4 lule. Ah, ç’më ka bërë i ligu, më prishi jetën e vajzës, më mbylli derën e vajzës, ju jeni nëna vetë. Ç’po bëhet me këtë popull, u vra rinia, i vrau i ligu i vrau rrugaçi, i vrau ai që ka para, unë nuk kam para.
Vajza vajti në Greqi për t’u ushqyer, për një jetë më të mirë, do vinte te nëna, të kalonte pushimet. Nëna i kishte bërë për të ngrënë, fola me vajzën i thashë “çfarë do të bëjë nëna për të ngrënë”, ajo më tha “mami më bëj një pulë me pilaf” dhe unë ia bëra gati, po e prisja të hante mëngjesin me dhëndrin e mbesat. Më iku vajza në moshë të rinisë. Dhëndrin e kisha si djalë. Të vihet drejtësia në vend, ku është shteti. Unë nuk kam lekë, ai që ma ka bërë këtë do jetë biznesmen. Vetë e di si i kam rritur, ia mbushja çantat me ushqime ia coja në Greqi.
Shteti të marrë masa, i bëj apel të gjitha nënave: Këtë që përjetova unë mos e përjetojë asnjë nënë në botë. Të jenë nëna të gëzuara, ai baba e ajo nënë që ka rritur atë djalë, të më vinte të më thoshte një fjalë te dera. Të më ngushëllonte, janë njerëz pa shpirt, nuk janë njerëz. Më helmuan kockën, më mbyllën derën e vajzës.
Shteti të marrë masa. Nuk ia pata borxh, kishin hallin e tyre. Rrugaçi i ra më qafë. Shteti të vërë dorën në zemër, sot u helmova unë. M’u shkatërrua jeta, më plasi zemra, vajza ime po ha dhe, katër varre”, tha nëna e Silvanës me lot në sy.