U kapën me kokainë, arrestohen dy shqiptarë në Serbi, policia sekuestron municion luftarak

Dy shqiptarë janë arrestuar në Serbi, pasi janë kapur me lëndë narkotike kokainë.

Në pranga kanë rënë E. S. (1995) dhe L. B. (1965) për shkak se dyshohen se kanë kryer veprat penale të prodhimit dhe shpërndarjes së paautorizuar të narkotikëve dhe bashkim me qëllim të kryerjes së veprave penale.

Po ashtu, kallëzim penal është ngritur edhe për tre persona të tjerë për të cilët policia është në kërkim intensiv për të njëjtat vepra penale.
Policia arrestoi E. S. në rrugën Vrçin, ndërsa L. B. u arrestua në Preshevë dhe atyre u janë gjetur dhe konfiskuar lëndë narkotike.
Ata dyshohen se si anëtarë të një grupi të organizuar kriminal kanë organizuar, transportuar dhe shitur lëndën narkotike kokainë dhe heroinë.

Në periudhën paraprake janë arrestuar katër anëtarët e këtij grupi të organizuar G.M. , R.M., S.H. dhe M. S., të cilët akuzohen për veprat penale të prodhimit dhe shpërndarjes së paautorizuar të lëndëve narkotikëve dhe armë mbajtje pa leje dhe shitje të paligjshme të armëve dhe lëndëve shpërthyese. Në këtë operacion, pesë kilogramë marihuanë, 300 gramë kokainë, 1,4 kilogramë amfetaminë, 6,5 kilogramë përzierje lidokainë-paracetamol, dy pushkë, dy pistoleta, një hark, një pushkë automatike, disa qindra copë municione të llojeve të ndryshme, pesë pajisje gjurmuese janë sekuestruar ndërsa janë konfiskuar disa automjete për pasagjerë.

E.S dhe L.B., janë lënë në masën e ndalimit deri në 48 orë dhe me kallëzim penal do të dërgohen në prokurorinë kompetente, ndërsa të dyshuarit e tjerë me kallëzim penal do të dërgohen në Prokurorinë e Lartë Publike në Pozharevc.

 


Shtuar 12.11.2023 10:39