U kapën duke transportuar kubikë kanabisi: I riu i bën “cirk” policisë dhe arrin të arratiset

Një 30 vjeçar është arrestuar dhe një 29 vjeçar është shpallur në kërkim pasi u kapën duke transportuar kubikë të kultivuar me fara cannabis sativa.
Drejtuesi i mjetit nuk i është bindur urdhrit të Policisë për të ndaluar dhe është munduar të devijojë nga rruga, por pas ndjekjes është bllokuar nga Policia Rrugore.
Gjatë kontrollit, shërbimet e Policisë kanë konstatuar në bagazhin e këtij mjeti, kubikë të kultivuar me fara kanabisi.
Gjatë tentativës për t’iu shmangur shërbimeve të Policisë, pasagjeri është hedhur nga automjeti dhe ka mundur të largohet, por është identifikuar dhe shpallur në kërkim nga Policia.
Ndërsa drejtuesi i automjetit, shtetasi E. D. është kapur gjatë ndjekjes nga shërbimet e Policisë Rrugore të Tiranës.
Në përfundim të veprimeve, nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Vorë u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit E. D., 30 vjeç, i dënuar më parë për veprën penale “Vjedhja”, si dhe shpallja në kërkim e shtetasit A. K., 29 vjeç.

Materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.


Shtuar 25.06.2021 13:43